Bota
Bie shpresa për paqe/ Sekretari i Mbrojtjes: SHBA-të janë gati të rifillojnë sulmet ndaj Iranit
“SHBA-të janë gati të rifillojnë sulmet ndaj Iranit nëse nuk do të arrihet një marrëveshje”! Kështu u shpreh sot Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ndërsa negociatorët nga Uashingtoni dhe Teherani po punojnë për të kapërcyer dallimet e mëdha që bllokonin një marrëveshje të mundshme.
“Aftësia jonë për të rifilluar nëse është e nevojshme… ne jemi më shumë se të aftë”, tha Hegseth në Singapor, raporton Reuters.
“Rezervat tona janë më se të përshtatshme për këtë, si atje ashtu edhe në të gjithë globin, kështu që jemi në një pozicion shumë të mirë”, shtoi ai.
Hegseth, duke folur në Dialogun Shangri-La, forumin kryesor të Azisë për liderët e mbrojtjes, ushtarakët dhe diplomatët, tha se SHBA-të nuk i kanë kthyer shpinën rajonit të Azi-Paqësorit pavarësisht se janë të angazhuara në konflikt me Iranin.
“Mund të bëjmë dy gjëra në të njëjtën kohë. Po e fuqizojmë bazën tonë industriale të mbrojtjes në mënyrë që shumë shpejt të ndërtojmë 2 herë, 3 herë, 4 herë më shumë municione për të siguruar që të gjitha planet tona (të operacioneve) të financohen siç duhet në të gjithë botën”, tha ai.
Shefi i Pentagonit tha se Presidenti Donald Trump ishte “i duruar” dhe dëshiron të bëjë një “marrëveshje të shkëlqyer” që siguron se Irani të mos ketë një armë bërthamore.
Të premten, Trump tha se do të takohej në një “dhomë të sigurt” në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi një propozim për t’i dhënë fund luftës me Iranin, i cili do të zgjaste armëpushimin e fillimit të prillit për 60 ditë të tjera, duke u dhënë negociatorëve kohë për të arritur një fund të përhershëm të konfliktit.
Lufta e nisur nga SHBA-të dhe Izraeli më 28 shkurt ka vrarë mijëra njerëz, kryesisht në Iran dhe Liban, dhe ka shkaktuar probleme ekonomike globale duke rritur çmimet e energjisë për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.