Connect with us

Politike

Presidenti i KE pritet të vizitojë Tiranën/ Antonio Costa: Është momenti…

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të zhvillojë një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku do të takohet me liderët rajonalë dhe do të bashkëkryesojë takimin e nivelit të lartë më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Në një postim në rrjetin social X, Costa shkruan: Këtë javë, do të vizitoj gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real; dhe kështu është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate.

Vizita do të nisë më 1 qershor në Sarajevë, ku Costa do të zhvillojë takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Becirović, Zeljka Cvijanovic dhe Zeljko Komsic, si edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo

Më 2 qershor, presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë Tiranën, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj.

 

 

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, ai do të zhvillojë gjithashtu një takim me studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës.

Në vijim të turit rajonal, Costa do të udhëtojë drejt Shkupit, për t’u takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Më 3 qershor, presidenti i Këshillit Evropian do të qëndrojë në Prishtinë, ku pritet të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe me drejtues të partive opozitare.

Turi do të vijojë më 4 qershor në Beogradë, ku Costa do të zhvillojë takime me presidentin Aleksandar Vucic, kryetaren e Parlamentit Ana Brnabic dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita rajonale do të përmbyllet në Mal të Zi, ku presidenti Jakov Milatovic do të mirëpresë liderët e rajonit në një darkë zyrtare në Tivat, me rastin e 20-vjetorit të rikthimit të pavarësisë së Malit të Zi.

Më 5 qershor, Costa do të bashkëkryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Advertisement