Connect with us

Politike

Shqipëria-Kosova dhe Rajoni vazhdojnë të mbeten pjesë e llogarive të Trump

Në pak më shumë se një muaj, tre vende të rajonit – Shqipëria, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina – u përfshinë në marrëveshje të rëndësishme energjetike të lidhura drejtpërdrejt me interesat amerikane.

Sipas Florian Bieber, profesor i Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it, mbështetja që Tirana dhe Prishtina i kanë dhënë politikave të administratës Trump është parë pozitivisht në Washington, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërish në një partneritet të ri strategjik.

“Por nuk mendoj se kjo bazohet në një partneritet sigurie. Më shumë lidhet me afirmimin e politikave të Trump-it”, vlerësoi ai.

Vetëm gjatë javëve të fundit, administrata amerikane ka sinjalizuar reduktime të pranisë së saj ushtarake në disa vende evropiane, ndërsa diskutimet mbi rolin e ardhshëm të NATO-s janë bërë gjithnjë e më intensive. Por Pentagoni konfirmoi se aktualisht nuk ka ndryshime të planifikuara për praninë amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Për Bieber-in, pyetja kryesore nuk është nëse Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në “ofrues sigurie”, por me kë duhet ta ndërtojnë këtë rol.

“Do të ishte më mirë të angazhoheshin me strukturat evropiane të sigurisë sesa me Trump-in, i cili nuk duket i interesuar për aleanca afatgjata, por për fitore afatshkurtra”, argumentoi Bieber.

Nëse gjatë dekadave të kaluara prania amerikane identifikohej kryesisht me sigurinë dhe ndërhyrjen diplomatike, sot ajo po shfaqet gjithnjë e më shumë përmes energjisë, investimeve strategjike dhe partneriteteve ekonomike.

Ballkani mund të mos jetë më në krye të agjendës së Washington-it. Por rajoni vazhdon të mbetet pjesë e llogarive të Trump.

Advertisement