Connect with us

Aktualitet

Dritan Goxhaj: SHBA nuk largohet nga Europa, 74 mijë trupa amerikane janë të garantuara me ligj

Eksperti i sigurisë rrëzon alarmin për tërheqjen amerikane: Vetëm Kongresi mund të ulë praninë ushtarake nën nivelin minimal të përcaktuar.

Një raportim i fundit i Financial Times ka nxitur debat në Europë lidhur me mundësinë e zhvendosjes së forcave amerikane nga disa vende europiane, veçanërisht nga Polonia dhe vendet baltike. Por sipas ekspertit të sigurisë Dritan Goxhaj, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend dhe as mundësi të largohen ushtarakisht nga Europa.

I ftuar në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, Goxhaj theksoi se ekziston një keqkuptim i madh rreth kompetencave të presidentit amerikan mbi praninë e forcave ushtarake në kontinentin europian.

“SHBA nuk ka kompetencë të largohet nga Europa. Prania amerikane në Europë është e miratuar nga Kongresi amerikan dhe niveli minimal i trupave është përcaktuar me ligj në 74 mijë ushtarë”, deklaroi ai.

Sipas Goxhajt, gjatë Luftës së Ftohtë numri i trupave amerikane në Europë arriti deri në 300 mijë, ndërsa çdo numër mbi pragun minimal prej 74 mijë trupash mund të shtohet ose zvogëlohet nga presidenti amerikan si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Megjithatë, ai theksoi se presidenti nuk mund të prekë nivelin minimal të vendosur nga Kongresi.
“74 mijë forca do të mbeten në Europë. Mund të zhvendosen nga Gjermania në Poloni, nga Polonia në Rumani apo në vende të tjera, por nuk mund të largohen nga kontinenti pa një vendim të Kongresit amerikan”, u shpreh Goxhaj.
Eksperti shtoi se një kërkesë për uljen e këtij niveli minimal do të kishte pasoja të rënda politike për çdo president amerikan.

“Asnjë president amerikan nuk do të guxonte sot të paraqiste një kërkesë të tillë në Kongres. Do të ishte një vetëvrasje politike”, tha ai.

Sipas Goxhajt, pavarësisht spekulimeve që qarkullojnë në media, garancia strategjike amerikane për Europën mbetet e pandryshuar dhe prania ushtarake e SHBA-së në kontinent vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të sigurisë euroatlantike.

Advertisement