Politike
Kryeministri Edi Rama paralajmëron shfuqizimin e Ligjit për investimet strategjike
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi se së shpejti do të shfuqizohet Ligji për investimet strategjike. Kërkesë për shfuqizimin e këtij ligji e ka bërë Bashkimi Evropian.
Rama tregoi arsyet e këtij vendimi, që sipas tij, nuk kanë lidhje me protestat që po mbahen sa i përket projektit në Zvërnec, afër Vlorës.
“Ligji kurrë nuk ka qenë i padrejtë, por gjëja e mirë është që do ta lëmë jashtë sepse e ka përmbushur misionin e vet. Nuk është se po luftojmë për të, nuk është se do të themi që vlerësimi [i BE-së] është i gabuar, thjesht do ta lëmë jashtë. Nuk ka të bëjë me asgjë çfarë ndodh në rrugë. Nuk ka të bëjë me asgjë që sillet përreth kësaj historie”, theksoi Rama
Një ditë më parë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier tha se “zgjatja e afatit të funksionimit të Ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”.
KE-ja ka shprehur shqetësim se projekti i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë ndikime mjedisore që bien në kundërshtim me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së.
Kryeministri Rama, e mbrojti ligjin duke theksuar se ka ndihmuar që shumë investime të shkonin në Shqipëri. Por, sipas tij, vendit nuk i duhet më ky ligj sepse investitorë të mëdhenj po shkojnë dhe nuk kanë nevojë për lehtësitë që ofron ligji. Ai tha se po punohet për një ligj të ri për investimet, bashkë me bllokun evropian.
Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat trevjeçar, por që prej asaj kohe afati i funksionimit të tij është shtyrë gjashtë herë. Ligji ofron lehtësira procedurale, fiskale dhe administrative, investime publike, dhënien e tokës publike dhe ndërhyrjen e shtetit për shpronësim të pronës private, e të tjera lehtësira për ata që përfitojnë statusin “investitorë strategjikë”.
Prej katër vjetësh, BE-ja në raportet e progresit për Shqipërinë ka kërkuar rishikimin e këtij ligji. Dy vjet më parë ambasadori i BE në Tiranë u shpreh se ky ligj i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. Ai kishte shprehur shqetësimin se i gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të Shqipërisë.
Për këtë ligj ka pasur debate të vazhdueshme edhe në Shqipëri, pasi opozita dhe ekspertët e kanë kundërshtuar.
Në dhjetor të 2024 Qeveria e Shqipërisë i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Donald Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit.