Connect with us

Politike

Sherr shqiptarçe 1+1 pse bëjnë 2/ Rama: Dera është e hapur për investimet gjigande

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin e fundit për investimet e huaja në sektorin e turizmit, duke sjellë si shembull Greqinë dhe zhvillimet e reja në ishullin e Mykonosit.

Rama ka kritikuar kundërshtimet ndaj projekteve të mëdha turistike në Shqipëri, duke argumentuar se vendi nuk mund të izolohet nga kapitalet e huaja në një kohë kur konkurrenca rajonale po përpiqet të tërheqë gjithnjë e më shumë investitorë.

“Greqia vazhdon të shitet tek të huajt me sukses, kurse ne na i kanë futur xixat nga të katër anët që të zihemi mesveti edhe për 1+1 që bëjnë 2, e të vijmë vërdallë në udhëkryq kur konkurrenca vazhdon vrapin për më shumë investime të huaja”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu ngre pyetjen se si mund të mbyllen dyert për investimet e mëdha në Shqipëri pikërisht në një moment kur, sipas tij, vendi ka arritur pas një pune të gjatë të tërheqë interesin e kapitalit ndërkombëtar.

“Po si mund t’i mbyllim ne rrugët për kapitalet e mëdha, tani që ato po nisin të vijnë në Shqipëri pas tërë mundit të madh që kemi bërë për të ardhur në këtë pikë?”, shprehet ai.

Rama thekson se zhvillimi ekonomik dhe turistik në mbarë botën matet me aftësinë për të tërhequr investime të huaja dhe jo me rezistencën ndaj tyre.

“Po tërë bota e zhvillon turizmin dhe ekonominë duke u matur me sa investime të huaja tërheq, ndërsa ne do të matemi me sa rezistojmë kundër tyre?”, shkruan kryeministri, duke e cilësuar këtë qasje si “një ftesë për vetëprapakthim kolektiv që Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk ka për ta pranuar”.

Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur në vend vijojnë protestat për investimet e planifikuara në Sazan dhe Zvërnec.

Postimi ne rrjetet sociale i kryeministrit është shoqëruar me një artikull që evidenton valën e re të investimeve luksoze në ishullin grek të Mykonosit. Sipas artikullit, marka të njohura ndërkombëtare të hotelerisë si Four Seasons, Fouquet’s dhe MGallery po zgjerojnë praninë e tyre në destinacionin e njohur mesdhetar, ndërsa janë planifikuar hapje të reja hotelesh me pesë yje në vitet e ardhshme.

Artikulli thekson se, pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe sfidave në tregun turistik, Mykonos vijon të mbetet një nga destinacionet premium më të rëndësishme në Mesdhe. Po ashtu, kompanitë ajrore kanë rritur kapacitetet e fluturimeve ndërkombëtare për sezonin 2026, ndërsa linja të reja nga Roma, Londra, Abu Dhabi dhe Dubai pritet të forcojnë më tej lidhjet e ishullit me tregjet globale.

Një prej projekteve më të mëdha të përmendura në artikull është edhe një resort me pesë yje me vlerë mbi 100 milionë euro, i lidhur me investitorin egjiptian Naguib Sawiris, i cili pritet të hapet në maj të vitit 2027.

Advertisement