Aktualitet
PROTESTUESIT BLLOKUAN KALIMIN TIRANE-DURRES
Për herë të parë, protestuesit kanë bllokuar totalisht qarkullimin në autostradën Tiranë-Durrës dhe rrugën që të çon në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Pas mbi 2 orësh fjalime te Kryeministria, protestuesit marshuan në drejtim të autostradës, ku krijuan trafik kilometrik në arterien kryesore që lidh Tiranën me qytetin bregdetar të Durrësit dhe me të vetmin aeroport në vend. Shoferët mbetën të bllokuar në makina, ndërsa qytetarët mund të kenë humbur edhe fluturimet. Të pakën 8 fluturime ishin të parashikuara nga ora prej orës 00.25 deri në 02.55.
Marshimi nisi rreth orës 21:00 dhe zgjati për gati 5 orë. Nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit nën brohoritma marshuan në autostradë dhe pasi mbërritën te mbikalimi i Kasharit u nisën në drejtim të rrugës që të çon në Rinas. Aty, shoferët e irrituar që u bllokuan në trafik i ranë disa herë burive të makinave, por qytetarët vijuan marshimin.
Dalja nga qyteti i Tiranës u bllokua për orë të tëra, ndërsa i vetmi aks për të lëvizur ishte rruga dytësore. Edhe në aksin hyrës për në kryeqytet u krijua trafik kilometrik. Të tjerë shoferë për të shmangur bllokimin e rrugës, zgjodhën aksin alternativ Thumanë-Kashar, por atje u përballën me trafik të rënduar. Vetëm pas gati 5 orësh marshim, policia ndërhyri duke u zënë pritë protestuesve dhe duke mos e lejuar marshimin deri në aeroport.
Efektivët krijuan një kordon dhe kishin në gatishmëri dy autobotë me ujë, por në terren nuk pati përplasje. Në 15 ditë protestë, kjo ishte hera e parë që ndërhyri policia, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të tërhiqeshin pasi bllokimi i rrugës është i paligjshëm. Fillimisht u has në rezistencë dhe protestuesit u përgjigjën me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, revolucion”, por më pas vendosën të kthehen në Tiranë.
Më herët, gjatë protestës pati një moment tensioni te Kryeministria, me protagonistë disa të rinj të maskuar. Kjo është hera e parë që ndodh në protestë një përplasje e tillë, e cila shkoi gati në përplasje fizike, ndërsa u pa tension të protestuesit e tjerë. Nuk dihet pse këta të rinj ishin të maskuar në protestë.
Momenti i tensionit dyshohet se ka ndodhur mes të rinjve dhe një aktivisti të ‘Shqipëria Bëhet’ të Adriatik Lapajt. Aktivisti po tentonte të mblidhte firma dhe ID-të e disa protestuesve për një kërkesë për referendum që ‘Shqipëria Bëhet’ po i mbledh për shfuqizimin e dy ligjeve, Paketën e Maleve dhe ligji për investimet strategjike. Kjo është refuzuar nga protestuesit, edhe nga mikrofoni i fjalimeve.
Teksa para Kryeministrisë mbahej protesta, deputetja socialiste e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur i “Neomalësorja” përmes një postimi në rrjetet sociale deklaronte largimin nga grupi i partisë socialiste. Ajo shkroi se do të ishte deputete e pavarur dhe se kufijtë ia diktonin vetëm vlerat e saj, të cilat i ka shprehur para se të ishte në Partinë Socialiste.
Edhe pse Koçeku nuk e shprehte qartë se divorci i saj me socialistët ka lidhje me protestat, në sheshin para Kryeministrisë protestuesit e pritën si triumf.