Kronike
Atentati në Sarandë/ Kush është shënjestra Thimjo Rubati, e shkuara e errët në Greqi dhe pistat ku po heton policia
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i njohur edhe me identitetin Sandër Rubati, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së premtes në Sarandë pas një sulmi me armë zjarri.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një nga pistat që po verifikohet është një lidhje e mundshme mes atentatit dhe dhunimit të oficerit të Policisë Mihal Velço, ngjarje e regjistruar vetëm një ditë më parë, në të njëjtën zonë. Për këtë rast, policia ka shpallur në kërkim djalin e Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, si dhe Antonio Lefterin dhe Engjëll Dalanajn, të tre persona me precedentë penalë.
Sipas hetimeve paraprake, autorët e atentatit ishin të maskuar dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata dyshohet se u larguan fillimisht me motor nga vendi i ngjarjes, ndërsa një tjetër pistë që po hetohet është se më pas kanë vijuar arratisjen drejt zonës së plazheve, në fund të rrugës “Mithat Hoxha”, ku dyshohet se janë larguar me një skaf.
Forcat e Policisë zhvilluan kontrolle intensive gjatë gjithë natës dhe vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur lokalizimi i tyre.
Ndërkohë, Thimjo Rubati është transportuar për trajtim të specializuar në spitalin e Janinës. Fillimisht ai mori ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, ku iu administrua edhe gjak për shkak të plagëve të marra. Burime nga hetimi bëjnë me dije se 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit, por në dëshminë e dhënë nuk ka mundur të identifikojë autorët, duke deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan.
Rubati mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me tre plumba në një atentat të ndodhur në lagjen nr. 4 të Sarandës. Sulmi, sipas hetimeve, dyshohet të ketë qenë i mirëorganizuar, ndërsa autorët kanë përfituar nga lëvizja me motor për t’u afruar dhe për t’u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai rezulton me precedentë penalë për trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje dhe trafik automjetesh. Në të kaluarën ka vuajtur dënim në Greqi për një çështje penale, ndërsa gjatë asaj kohe rezultonte i kërkuar edhe në Shqipëri në kuadër të një dosjeje për trafik dhe kontrabandë automjetesh, ku ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarë doganorë. Një nga pistat që po hetohet mbetet edhe mundësia që atentati të lidhet me konflikte të mbartura nga e kaluara e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të dokumentuar rrethanat e plota të atentatit dhe për të përcaktuar motivin që çoi në sulmin ndaj 50-vjeçarit. Pamfleti