Connect with us

Bota

Forcimi i Unionit/ Franca dhe Gjermania i japin shtysë të re zgjerimit të BE-së

Vetëm pak ditë pasi Shqipëria mbylli provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Franca dhe Gjermania kanë riafirmuar mbështetjen për zgjerimin e BE-së, duke theksuar se procesi duhet të shoqërohet me reforma të brendshme të Unionit për ta bërë atë më efikas dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat gjeopolitike.

Qëndrimi përfshihet në deklaratën e përbashkët të miratuar në mbledhjen e 26-të të Këshillit Ministror Franko-Gjerman, zhvilluar në Augustusburg, ku dy vendet e konsiderojnë zgjerimin si një interes të përbashkët strategjik për një Evropë më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë.

Në dokument, Berlini dhe Parisi propozojnë një proces më efikas dhe më të shpejtë të integrimit, përmes një modeli të integrimit gradual dhe të bazuar në meritë, i cili do t’u ofrojë vendeve kandidate stimuj shtesë edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Sipas tyre, procesi duhet të mbetet i lidhur me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, ndërsa vendet që avancojnë më shpejt duhet të kenë mundësi të integrohen gradualisht në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën kohë, Franca dhe Gjermania argumentojnë se zgjerimi duhet të ecë paralelisht me reformat e vetë Bashkimit Evropian.

Dokumenti rikujton Deklaratën e Granadës dhe kërkon që deri në samitin e Këshillit Evropian në tetor të zhvillohet një diskutim i thelluar mbi aftësinë e Unionit për të pranuar anëtarë të rinj, ndërsa traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përfshijnë garanci dhe masa tranzitore që forcojnë funksionimin e BE-së dhe sigurinë e saj.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës lidhet edhe me reformimin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Dy qeveritë kërkojnë një rishikim të funksionimit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), rolit të Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, si edhe të Komisionit Evropian, me synimin për të garantuar reagime më të shpejta, më të koordinuara dhe më efektive ndaj krizave ndërkombëtare.

Këshilli Evropian i tetorit pritet të ngarkojë Presidencën e Këshillit me hartimin e propozimeve konkrete, ndërsa raporti përfundimtar duhet të dorëzohet deri në fund të vitit 2026.

Deklarata franko-gjermane vjen në një moment kur Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit, pas mbylljes provizore të kapitujve për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si edhe Marrëdhëniet me Jashtë, duke e vendosur zgjerimin sërish në qendër të debatit strategjik për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Advertisement