Kronike
DETAJE NGA ATENTATI ME TRE TE PLAGOSUR NE ELBASAN
Detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur pasi një person ende i paidentifikuar qëlloi me armë drejt tyre. Tre të rinjtë po qëndronin në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen ‘Vullnetari’
Të plagosurit; Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç dhe Renaldo Mance, 31 vjeç kanë lënë spitalin po mbrëmjen e djeshme pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Burime pranë bluzave të bardha bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka marrë një plumb në shpatull, një tjetër në këmbë, ndërsa i treti është dëmtuar lehtë nga një gërvishtje plumbi.
Dëshmia në polici
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, tre të rinjtë kanë dhënë dëshmitë e tyre para efektivëve të policisë. Ata kanë deklaruar se ngjarja ka ndodhur papritur, rreth orës 20:30, në momentin kur ndodheshin të ulur në pjesën e jashtme të lokalit.
Sipas dëshmisë së tyre, autori është afruar në këmbë pranë lokalit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, duke hapur zjarr me armë zjarri. Pas të shtënave, ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Hetimet
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po punon për identifikimin e autorit, i cili ende nuk është arrestuar. Nga hetimet paraprake rezulton se autori ka qëlluar gjashtë herë në drejtim të të rinjve dhe më pas ka mundur të largohet, duke përfituar edhe nga errësira dhe rrugicat e zonës.
Sipas Policisë së Elbasanit, në momentin e të shtënave në ambientet e brendshme të lokalit ndodhej edhe një efektiv policie jashtë shërbimit. Ky i fundit është vënë menjëherë në ndjekje të autorit, por ai ka hedhur armën dhe ka mundur të shpëtojë.
Në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur.
Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë kryer kontrolle në një perimetër të gjerë, ndërsa operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e autorit vijon.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po kryen veprimet procedurale dhe ekspertizat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit dhe identifikimin e autorit të plagosjes.
