Connect with us

Kronike

“Refiti nuk e ka pranuar ndarjen”/ Zbardhet dëshmia e Razalinda Plaka

 Rozalinda Plaka ka dhënë dëshminë e saj para Policisë së Fierit në prani të një psikologeje, lidhur me ngjarjen e rëndë ku ish-partneri i saj Refit Buzi, vrau me armë zjarri prindërit e saj, Kosta dhe Belere Plaka, dhe më pas e mori peng.

Sipas dëshmisë së saj lidhja me Buzin kishte nisur në vitin 2020 kur ata kishin shpallur fejesën, por përfundoi në vitin 2024 pasi ajo vendosi të ndahej për shkak të jetës së tij të çrregullt dhe problemeve që ai përfshihej.

24-vjeçarja ka treguar se natën kur ka ndodhur ngjarja ishte duke fjetur, dhe u zgjua kur dëgjoi një zhurmë te fortë. Pasi doli në korridor, pa ish-partnerin me një armë të gjatë në dorë dhe babanë e saj të shtrirë në dysheme, i mbuluar me gjak. Ajo ka deklaruar se tentoi t’i merrte armën por u qëllua me grusht nga Buzi dhe më pas u mor me forcë nga banesa.

Dëshmia e Rozalinda Plaka:

“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem prej tij, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ishte se ai bënte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua. Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord me këtë lidhje që në fillim.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, dua të tregoj se kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, ndërsa prindërit e mi ndodheshin në dhomën e tyre. Kam dëgjuar një zhurmë të fortë, që m’u duk si krismë arme, dhe dola në korridor për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur dola, pashë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë, si ato të gjahut, në dorë. Po ashtu pashë babanë tim, Kosta Plaka, të shtrirë përmbys pranë hyrjes së dhomës, i mbuluar me gjak. Unë i kapa armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘…do t’ju vras të gjithëve…’.

Më shtyu, më goditi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty u plagosa nga copat e xhamit në trup. Më mori me forcë dhe më hipi në makinë. Momentin nga kur më mori me forcë nga shtëpia deri sa hipa në makinë nuk e kujtoj, sepse kam qenë shumë e tronditur. Ai komunikonte në telefon me punonjës policie, të cilët i kërkonin të dorëzohej, por Refiti u thoshte: ‘…nuk i bëj asgjë gocës, po e mbaj për vetëmbrojtje, do vras veten”.

Advertisement