✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Droga në pijet e të rinjve? QSUT rrëzon pretendimet alarmante

Lajmi për afro 300 të rinj që pretendohej se kishin përfunduar në urgjencën e QSUT-së pas konsumimit të një substance narkotike gjatë festimeve të Halloween-it në Tiranë, është përgënjeshtruar nga drejtuesi i Toksikologjisë, Andrin Tahiri.

Përmes një reagimi, Tahiri e cilësoi informacionin të rremë, duke sqaruar se në urgjencë ishin paraqitur disa të rinj për shkak të abuzimit me alkoolin, por jo për raste helmimi nga droga të hedhura fshehurazi në pije.

Sipas tij, gjatë ditëve të festave fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore mund të jetë më i lartë, por situata nuk ka pasur përmasat e raportuara në disa portale. Tahiri mohoi gjithashtu që në QSUT të jenë konstatuar raste të përdorimit të substancave të njohura si “droga e përdhunimit”, të cilat mund të shkaktojnë humbje të kujtesës dhe paaftësi për të reaguar.

Shefi i Toksikologjisë bëri të ditur se atë ditë ishte kërkuar vetëm një rast asistence të mirëfilltë toksikologjike. Përgënjeshtrimi vjen pas përhapjes së lajmit që shkaktoi shqetësim te qytetarët, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e të rinjve gjatë festimeve në lokalet e kryeqytetit.

Advertisement