Kosova
Kurti në vendin e gërmimeve: Dyshohet për varrezë me 23 shqiptarë të vrarë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi këtë të shtunë vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës.
Gjatë vizitës, Kurti deklaroi se procesi i kërkimeve mund të zgjasë me javë apo edhe muaj, pasi mbetjet janë të shpërndara në një terren të vështirë pranë një përroi, çka sipas tij e bën më kompleks identifikimin e viktimave.
Ai u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake, policore dhe paraushtarake, duke theksuar se kjo është thelbësore për zbardhjen e fatit të rreth 1.600 personave që rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999.
Sipas Kurtit, autoritetet serbe jo vetëm që nuk bashkëpunojnë për zbardhjen e krimeve të luftës, por edhe ndjekin penalisht persona që japin informacione për vendndodhjen e varreve masive. Ai iu referua arrestimit në Serbi të një 46-vjeçari nga Istogu, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se u ndalua pasi kishte ndihmuar në zbulimin e vendndodhjes së një varreze masive.
Gërmimet në Kalludër të Vogël nisën në fillim të kësaj jave pas një hetimi që zgjati rreth dy vjet. Autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, ndërsa dyshohet se ato mund t’i përkasin grupit prej 23 shqiptarësh, të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”, të cilët u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
Kurti theksoi se identiteti i viktimave do të konfirmohet vetëm pas analizave të ADN-së, por shtoi se ekzistojnë indicie të forta që mbështesin këtë dyshim.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, lufta e viteve 1998–1999 shkaktoi mbi 12 mijë viktima, ndërsa më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga temat më të ndjeshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Prishtina vijon të kërkojë hapjen e plotë të arkivave shtetërore serbe për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të viktimave.