Aktualitet
“Çfarë tersi, e dija”, Kushtetuesja rrëzon kërkesën për pafajësi të një prej grabitësve të 4.6 milionë eurove në Rinas
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin përmes të cilit ka rrëzuar ankesën e Saimir Çelës, një prej personave të dënuar për grabitjen e rreth 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në vitin 2019.
Çela kishte kundërshtuar përdorimin si provë të një përgjigjeje të tij, “çfarë tersi, e dija”, të regjistruar gjatë një përgjimi ambiental në ambientet e paraburgimit, në ditën e arrestimit. Ai pretendonte se kjo deklaratë ishte përdorur në mënyrë të padrejtë në procesin penal.
Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se çështja nuk paraqiste arsye për t’u shqyrtuar në seancë plenare, ka argumentuar se biseda mes Çelës dhe të arrestuarit tjetër, Renaldo Sulaj, mund të merret në konsideratë në kontekstin e provave të tjera të administruara gjatë procesit.
Në vendim përmenden edhe 508 telefonata të kryera nga Çela me dy persona të tjerë të lidhur me hetimin për grabitjen. Gjykata i referohet gjithashtu dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili ka përshkruar mënyrën se si, sipas tij, është organizuar dhe përgatitur grabitja.
Sipas dëshmisë së Bengasit, grupi kishte diskutuar për planin, kishte vëzhguar lëvizjet e dërgesave të parave, kishte siguruar dhe përshtatur automjete të përdorura gjatë ngjarjes, si dhe mjete dhe armë për realizimin e grabitjes.
Hetimet dhe proceset gjyqësore kanë lidhur me ngjarjen grupin e drejtuar nga Admir Murati, i cili mbeti i vrarë gjatë ndjekjes pas grabitjes.
Në total, personat e dënuar për këtë ngjarje janë përballur me një dënim të përgjithshëm prej 122 vitesh burgim. Përveç Saimir Çelës, në Gjykatën Kushtetuese janë drejtuar edhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, ndërsa Talo Çela është dënuar në një proces të veçuar me 18 vite burgim.
Përtej përgjegjësive penale për grabitjen, hetimet e autoriteteve kanë vijuar edhe për të verifikuar nëse ngjarja e Rinasit mund të ketë pasur lidhje me episode të tjera kriminale, përfshirë vrasje. Këto dyshime mbeten pjesë e hetimeve dhe nuk përbëjnë përfundime gjyqësore.