Connect with us

Politike

Rama reagon pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd: Nuk llogarisim kush i ka borxh kujt…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se qëndrimi i Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë nuk duhet të ndryshojë për shkak të këtij pozicioni.

Në një postim në rrjetin social X, Rama tha se Shqipëria mund të mos pajtohet me qëndrimin e Ukrainës për Kosovën, por njëkohësisht të vijojë mbështetjen për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Sipas tij, këto dy qëndrime nuk janë të papajtueshme.

Rama kundërshtoi idenë që mbështetja ndaj Ukrainës të trajtohet si një marrëdhënie reciproke, ku qëndrimi i Shqipërisë përcaktohet nga pozicionet që mbajnë vendet e tjera për çështje të veçanta. Ai argumentoi se kundërshtimi i luftës dhe mbështetja për një zgjidhje paqësore duhet të bazohen në parime dhe jo në marrëdhënie shkëmbimi.

Duke iu referuar Kosovës, kryeministri tha se Ukraina është, sipas tij, në gabim me qëndrimin e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ai vlerësoi se kjo nuk duhet të ndikojë në mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Ukrainës për të qenë një shtet i lirë.

Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria mund të mbajë njëkohësisht qëndrime të ndryshme për këto dy çështje: të kundërshtojë pozicionin e Kievit ndaj Kosovës dhe të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Reagimi vjen pas vizitës së Zelenskyt në Beograd dhe deklaratës së tij lidhur me Kosovën, e cila ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.

Advertisement