Connect with us

Bota

Nën masa të rrepta sigurie transferohen 9 gangsterë të rrezikshëm, mes tyre narkosi shqiptar

Një operacion i gjerë sigurie, i koduar “Cancerbero”, është zhvilluar në Kili për transferimin e nëntë të burgosurve me rrezikshmëri të lartë nga burgjet e Santiagos drejt burgut La Laguna në Talca. Operacioni u koordinua nga Xhandarmëria kiliane, me mbështetjen e Karabinierëve dhe PDI-së, ndërsa zhvillimi i tij u transmetua drejtpërdrejt nga Presidenca.

Mes personave të transferuar ndodhen drejtues dhe anëtarë të organizatave kriminale transnacionale, përfshirë Tren de Aragua, Los Pulpos dhe Los Espartanos, si dhe persona të lidhur me rrjete kriminale kineze dhe shqiptare.

Në listën e të transferuarve është edhe shqiptari 58-vjeçar Viktor Gjini, i dënuar me 10 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Sipas hetimeve të autoriteteve kiliane, Gjini drejtonte në vitin 2023 një organizatë që dyshohet se trafikonte kokainë drejt Holandës përmes portit të Valparaísos, në bashkëpunim me shtetas aziatikë.

Autoritetet pretendojnë se shqiptari i kishte ofruar një agjenti të infiltruar 20 mijë dollarë, me qëllim mundësimin e fshehjes së rreth 100 kilogramëve klorhidrat kokaine në një kontejner. Hetimi çoi në arrestimin e Gjinit dhe personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rrjet.

Mes të transferuarve janë edhe persona të lidhur me organizata të tjera kriminale. William Gianmarco Rosado Tomás, alias “Wara”, përshkruhet si drejtues i Los Pulpos dhe akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe posedim armësh. Ndërkohë, Jesús Rojas Morales lidhet me fraksionin Loyalty të Tren de Aragua-s, ndërsa Carlos Efrén Carrillo Armada, alias “Carlitos Cartier”, përshkruhet si drejtues i Los Cartier.

Në operacion u përfshinë gjithashtu Jean Carlos García dhe Jackson José Herrera Mijares, alias “Los Mapaches”, ndaj të cilëve rëndojnë akuza për vepra të rënda, përfshirë vrasje, rrëmbime, trafik droge dhe zhvatje.

Një pjesë e listës përbëhet nga persona të lidhur me mafien kineze “Bang de Fujian”. Mes tyre janë Yuping Zheng, Xianan He, Xiaohui Shi, Xiaotong Wu dhe Weimin Xiao. Ky i fundit është dënuar me 10 vite e 1 ditë burg dhe, sipas autoriteteve, drejtonte një strukturë kriminale që vepronte në disa prona dhe ishte e lidhur me aktivitete të paligjshme të trafikut të drogës.

Gjatë kontrolleve të kryera më 31 janar 2025 në ambiente të lidhura me këtë rrjet, policia sekuestroi kokainë, marihuanë, ketaminë, kafeinë, tramadol dhe “pasta base”.

I vetmi shtetas kilian në listën e transferimit është Juan Eduardo Pacheco Alarcón, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar si bashkëpunëtor i afërt i trafikantit Wladimir Silva Soto, alias “Cogote de Toro”, i cili u vra në La Pintana në vitin 2020 gjatë një konflikti territorial për kontrollin e trafikut të drogës.

Transferimi i nëntë të burgosurve është pjesë e masave të autoriteteve kiliane për të izoluar persona të konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe për të kufizuar ndikimin e organizatave kriminale transnacionale brenda sistemit penitenciar.

Advertisement