Kosova
Kosova i del në ndihmë Shqipërisë: Jemi gati të ofrojmë mbështetje për zjarret
Kosova ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë dhe Malin e Zi në përballimin e situatës së krijuar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të të dyja vendeve.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes është e gatshme të vërë në dispozicion kapacitetet që ka, nëse autoritetet shqiptare dhe malazeze vlerësojnë se ndihma është e nevojshme.
Maqedonci tha se gatishmëria për mbështetje u është përcjellë homologëve të tij në Shqipëri dhe Mal të Zi, ndërsa institucionet e Kosovës mbeten të gatshme të kontribuojnë në menaxhimin e situatës.
“Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai theksoi se Kosova mund të kontribuojë nëse kërkohet ndihmë dhe nëse kapacitetet e saj mund të jenë të dobishme për përballimin e situatës.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës nënvizoi gjithashtu rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në situata emergjente, duke bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e tjera mbeten në gatishmëri për të ofruar mbështetje aty ku nevojitet.