Connect with us

Politike

Rama e përjashtoi nga mbledhja/ Nertil Bellaj: Propozimin për shkrirjen e mësova nga mediat

Kreu i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkisë që drejton dhe bashkimin e saj me Vlorën, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.

Bellaj mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Këshilli Bashkiak, ku u diskutua drafti i reformës. Ai deklaroi se propozimin për shkrirjen e Bashkisë Selenicë e kishte mësuar vetëm pas publikimit të draftit në media.

Kryebashkiaku e konsideroi të padrejtë zhbërjen e bashkisë, duke argumentuar se Selenica nuk përbën barrë për buxhetin e shtetit dhe renditet, sipas tij, ndër bashkitë me nivel të lartë të performancës institucionale.

Kundër shkrirjes u shprehën edhe këshilltarët bashkiakë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Ata argumentuan se një vendim i tillë do të dëmtonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.

Gjatë diskutimeve u ngrit edhe çështja e diferencave mes zonave malore të Labërisë dhe zonave të tjera të Vlorës.

Këshilltarët shtruan pyetjen se përse banorët e fshatrave malorë duhet të paguajnë të njëjtat taksa si banorët që jetojnë në zonat më të zhvilluara dhe më të lakmuara të Vlorës.

Këshilltarët u kanë bërë thirrje deputetëve të zgjedhur në zonën e Labërisë që të kundërshtojnë në Kuvend zhbërjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Vlorën.

Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë. Ata janë shprehur kundër bashkimit me Vlorën dhe kanë deklaruar se do të vijojnë protestat për të kundërshtuar ndryshimin e propozuar territorial.

Advertisement