Connect with us

Kronike

Vrasja e turistit/ Reagon ‘Principote’ Mykonos: Ata kanë përdorur në mënyrë të paligjshme emrin tonë

“Principote” Mykonos ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti, ndërsa për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari shqiptar Sokrat Vata.

Përmes një deklarate zyrtare, “Principote” Mykonos ka sqaruar se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi apo lidhje tjetër me beach-barin në Ksamil, i cili përdor emrin “Principote”.

Sipas kompanisë greke, lokali në Shqipëri po përdor në mënyrë të paligjshme emrin dhe markën e saj. “Principote” Mykonos bën me dije se ka ndërmarrë tashmë edhe hapa ligjorë për të ndaluar përdorimin e emrit të saj.

“Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një dyqan që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar”, thuhet në reagim.

Kompania greke shton se ndaj subjektit në Ksamil janë ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim ndalimin e asaj që e konsideron konkurrencë të padrejtë dhe përdorim të paligjshëm të reputacionit ndërkombëtar të markës.

Reagimi i “Principote” Mykonos vjen pas ngjarjes së rëndë që tronditi Ksamilin, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti në ambientet e lokalit.

Për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata, ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së konfliktit dhe rrethanave që çuan në vdekjen e të riut portugez.

Advertisement