Aktualitet
IMPLANTI QË KE NË GOJË/ A E DI ÇFARË TË KANË VENDOSUR?
Implant zviceran, gjerman, korean, “premium”, garanci 10-vjeçare apo edhe të përjetshme.
Tregu i implanteve dentare në Shqipëri është kthyer në një nga segmentet më të kushtueshme të stomatologjisë, ndërsa klinika të ndryshme reklamojnë publikisht marka ndërkombëtare, materiale të certifikuara dhe garanci shumëvjeçare.
Por për pacientin lind një pyetje shumë më e thjeshtë:
A e di realisht çfarë implanti i është vendosur në gojë?
Kur një pacient paguan qindra euro për një implant, vetëm deklarata verbale se produkti është “zviceran”, “gjerman” apo “premium” nuk duhet të jetë fundi i informacionit.
Produkti ka një prodhues. Ka një model. Ka dokumentacion. Ka të dhëna që duhet të mundësojnë identifikimin e tij.
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, është institucioni që administron Regjistrin Kombëtar të Pajisjeve Mjekësore dhe kryen vlerësimin administrativ e teknik të dokumentacionit të pajisjeve që regjistrohen në Shqipëri.
Sipas vetë AKBPM-së, në dokumentacionin e regjistrimit duhet të përcaktohen të dhëna mbi pajisjen, prodhuesin dhe certifikatat e saj, ndërsa kërkohet edhe dokumentacioni i konformitetit dhe markimit CE sipas kategorisë përkatëse.
Regjistri Kombëtar i Pajisjeve Mjekësore i publikuar nga Agjencia rezulton i përditësuar më 18 mars 2026.
POR ÇFARË MERR PACIENTI?
Pas ndërhyrjes, a largohet pacienti nga klinika duke ditur saktësisht:
– markën e implantit;
– prodhuesin;
– modelin;
– të dhënat identifikuese të produktit;
– dokumentacionin ose certifikatën që shoqëron implantin;
– kushtet reale të garancisë?
Ka klinika shqiptare që deklarojnë publikisht se pacientit i japin kartë implanti, certifikatë apo numër serie, ndërsa klinika të tjera reklamojnë garanci 10-vjeçare ose të përjetshme.
Kjo tregon se një dokumentacion i tillë nuk është aspak një kërkesë e pazakontë e pacientit.
“ËSHTË IMPLANT I MIRË” NUK MJAFTON
Pacienti nuk po blen vetëm një ndërhyrje kirurgjikale.
Në trupin e tij po vendoset një produkt që mund të qëndrojë aty për shumë vite.
Nëse pas pesë apo dhjetë vjetësh lind nevoja për një ndërhyrje tjetër, është e rëndësishme që pacienti dhe dentisti që do ta trajtojë më pas të dinë se me çfarë sistemi implantar kanë të bëjnë.
Pikërisht për këtë arsye pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Sa kushton implanti?”
Por:
“Çfarë implanti po më vendosni dhe çfarë dokumenti marr për ta provuar?”
Sa nga implantet që reklamohen dhe përdoren në klinikat dentare rezultojnë të regjistruara në dokumentacionin përkatës të pajisjeve mjekësore?
A u jepet pacientëve dokument që identifikon implantin e vendosur?
Çfarë përmbajnë realisht garancitë 10-vjeçare apo të përjetshme që reklamohen?
Dhe sa informacion merr pacienti përpara se të paguajë?
Pyetja është tjetër:
A ka pacienti mundësi të provojë se çfarë produkti ka paguar dhe çfarë produkti i është vendosur?
Sepse kur bëhet fjalë për një pajisje që vendoset në trupin e njeriut, fjala e dhënë nuk duhet të zëvendësojë dokumentin.