Bota
KA NJE MUNDESI PER PAQE ME UKRAINEN-THOTE PUTIN
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ende ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën.
Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin tha se disa vende, mes tyre Shtetet e Bashkuara dhe Kina, janë të gatshme të kontribuojnë në përpjekjet për një zgjidhje të konfliktit.
“Ka një shans”, deklaroi kreu i Kremlinit, duke theksuar se zgjidhja përfundimtare, sipas tij, duhet të arrihet nga vetë Rusia dhe Ukraina.
Por, pavarësisht mesazhit për paqe, Putin akuzoi Ukrainën se po komplikon rikthimin e negociatave.
Ai iu referua sulmeve ndaj anijeve ruse dhe paralajmërimeve të Kievit për rrezikun e fluturimeve civile në hapësirën ajrore ruse.
Putin i cilësoi këto zhvillime si “akte terrorizmi shtetëror” dhe tha se ato e bëjnë më të vështirë rifillimin e bisedimeve dypalëshe.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar kompanitë ajrore për rrezikun që paraqet prania e dronëve në hapësirën ajrore ruse, duke theksuar se objektivat e Ukrainës janë ato ushtarake.
Ndërkohë, negociatat për paqen, të bllokuara që prej muajit shkurt, mbeten në një pikë kritike.
Putin konfirmoi se Moska po vijon kontaktet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, e cila ka tentuar të ndërmjetësojë një marrëveshje mes dy vendeve.
Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se Rusia dëshiron të rikthejë marrëdhëniet në shkallë të plotë me Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, kjo nuk varet vetëm nga Moska, por edhe nga Uashingtoni. Putin shtoi se, bazuar në atë që sheh dhe vëzhgon, presidenti Trump mbetet i angazhuar për një qasje konstruktive.
Deklaratat e fundit të Putinit vijnë në një moment kur presioni ndërkombëtar për rikthimin e negociatave po rritet.
Megjithatë, ndërsa Moska flet për një “shans për paqe”, akuzat e ndërsjella dhe sulmet vazhdojnë të mbajnë larg një marrëveshje konkrete.
Tani pyetja është nëse deklarata e Putinit do të pasohet nga hapa konkretë drejt tryezës së negociatave, apo do të mbetet vetëm një sinjal politik i Kremlinit.