Bota
DO LEVIZIM SHPEJT/ KAJA KALLAS PER ZGJERIMIN E BE: FORCOJME PESHEN E EUROPES
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një prej politikave kryesore të Unionit dhe një faktor që rrit peshën e Evropës në arenën ndërkombëtare.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Kallas komentoi propozimet e reja të Komisionit Evropian për zgjerimin, duke theksuar se ato synojnë të përcaktojnë hapa konkretë për integrimin gradual të vendeve kandidate.
Sipas saj, paketa e re parashikon edhe mekanizma mbrojtës për të parandaluar kthimin pas në reformat e ndërmarra, ndërsa BE-ja duhet të përshtatë institucionet e veta për një Union më të madh.
“Zgjerimi forcon peshën e Evropës në botë. Ai ka qenë politika jonë më e suksesshme e jashtme për dekada”, shkroi Kallas.
Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për përshpejtimin e procesit, duke e lidhur atë me realitetin e ri gjeopolitik.
“Kur vendet që përparojnë lihen në pritje, paqëndrueshmëria zë rrënjë”, u shpreh Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.
Deklaratat e Kallas vijnë pas propozimeve të reja të Komisionit Evropian për një proces më gradual integrimi të vendeve kandidate, krahas përgatitjes së vetë BE-së për funksionimin e një Unioni me më shumë anëtarë.