Politike
Bashkia e Tiranës i kthehet Ramës: Tirana nuk është pronë personale e Kryeministrit
Bashkia e Tiranës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për administratën bashkiake dhe pretendimet se punonjësit mund të largohen nga detyra për shkak se nuk pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e Erion Veliajt në rrjetet sociale.
Në deklaratën për shtyp, Bashkia kundërshton atë që e cilëson si ndërhyrje politike të kryeministrit në kompetencat e kryetarit të zgjedhur të bashkisë. Sipas saj, emërimet dhe shkarkimet në administratë janë kompetenca që duhet të ushtrohen në përputhje me ligjin dhe jo mbi bazën e preferencave personale.
Reagimi vjen pasi Rama ngriti publikisht pyetjen se si mund të largohet nga puna një drejtuese e Policisë Bashkiake, e cila, sipas tij, e ka kryer detyrën me dinjitet, vetëm sepse nuk ka bërë “like” apo “share” postimet e Veliajt nga burgu.
Bashkia thekson se autonomia vendore garantohet nga Kushtetuta dhe ligji, duke nënvizuar se institucioni nuk është në varësi personale të kryeministrit.
DEKLARATË PËR SHTYP
Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues. Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.