✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

“UNË JAM ZOTI I DROGËS”/ Trafikanti i njohur shqiptar tenton për herë të tretë të vetëvritet

Elvis Demçe, trafikanti shqiptar i drogës që mbahet në regjimin e posaçëm 41-bis në Itali, ka tentuar për herë të tretë t’i japë fund jetës brenda qelisë së burgut të Operas, në Milano. 40-vjeçari është gjetur në kohë nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, të cilët kanë ndërhyrë për ta shpëtuar dhe e kanë transportuar menjëherë në spital. Sipas raportimeve nga mediat italiane, ai ndodhet në terapi intensive.

Kjo është tentativa e tretë për vetëvrasje e Demçes, pas dy episodeve të mëparshme që kishin bërë që avokati i tij, Massimiliano Capuzi, të kërkonte transferimin në një strukturë të mbrojtur, ku klienti i tij të ndiqte një program të specializuar terapeutik.

Rasti ka rikthyer në vëmendje kushtet e vuajtjes së dënimit në regjimin 41-bis, një nga format më të rrepta të izolimit në sistemin penitenciar italian. Sipas mbrojtjes, gjendja shëndetësore e Demçes kërkon trajtim të specializuar, ndërsa kërkesat për transferimin e tij deri më tani nuk janë pranuar nga autoritetet gjyqësore.

Avokati ka paraqitur disa ekspertiza mjekësore, ku përmendet një diagnozë e dyfishtë, që lidhet me çrregullimet e shkaktuara nga përdorimi i lëndëve narkotike dhe varësinë nga medikamentet. Në dokumentet mjekësore përmendet gjithashtu një çrregullim bipolar me simptoma psikotike, ndërsa edhe përgjegjësja e shërbimit të mjekësisë penitenciare në burgun e Operas, Laura Mannarini, ka sugjeruar shtrimin e tij në spital për trajtim.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka kundërshtuar transferimin, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e gjendjes së pretenduar shëndetësore dhe mundësinë që ajo të përdoret për të shmangur kushtet e regjimit të posaçëm.

Demçe konsiderohet nga autoritetet antimafia italiane si një prej emrave të rrezikshëm të trafikut të drogës në Romë. Ai po vuan një dënim prej 15 vitesh burg për trafik narkotikësh, të lënë në fuqi nga Gjykata e Kasacionit më 28 maj. Megjithatë, ai nuk është dënuar për pjesëmarrje në organizatë mafioze.

Shqiptari është përballur edhe me procese të tjera gjyqësore, përfshirë një hetim që lidhet me dyshimet për përfshirjen në një plan për rrëmbimin e një rivali. Emri i tij është përmendur gjithashtu në hetimet për përpjekjet e dyshuara për hakmarrje ndaj personave të lidhur me vrasjen e Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”, i ekzekutuar në Romë në vitin 2019.

Ndërkohë, avokati i tij ka ngritur shqetësime edhe për transferimet e shpeshta të Demçes në burgje të ndryshme në Itali, duke i cilësuar ato si një formë burgimi që vështirëson kontaktet me familjarët.

Pas tentativës së fundit, pritet që çështja të rikthehet në vëmendjen e institucioneve italiane, ndërsa në vend është paralajmëruar edhe një interpelancë parlamentare për kushtet e trajtimit të të burgosurit.

Advertisement