Politike
Bardhi: Të kanë mbyllur gojën/ Spiropali i përgjigjet: Nuk më shantazhon askush
Elisa Spiropali dhe Gazment Bardhi janë përplasur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, me debatet që u përqendruan te Reforma Territoriale dhe akuzat për shantazh politik.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi Spiropalin se nuk po flet më për qëndrimet e saj të mëparshme për Reformën Territoriale, duke pretenduar se ajo është kërcënuar dhe “i kanë mbyllur gojën”.
“Shoh një kolege që tha se do të votojmë zërin e qytetarëve dhe bëri një platformë me 10 pika. Pse nuk e dëgjoni sot? Sepse e shantazhuat. Ju merrni peng dhe shantazhoni këdo që ju del kundër. Këta jeni ju”, deklaroi Bardhi.
Në përgjigje, Elisa Spiropali mohoi kategorikisht se është shantazhuar dhe tha se askush nuk mund ta detyrojë të ndryshojë qëndrimet e saj. Ajo iu referua edhe pretendimeve të Bardhit për deputetë dhe drejtues të PD-së në Fier, duke deklaruar se “do të shkojnë aty ku kanë vendin”.
“Të jesh i sigurt se nuk ka njeri këtu që mund të më shantazhojë mua. Dëgjo, se nuk je ti zëri i qytetarëve, se pretendon se je zëri i qytetarëve. Madje nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetë e ça kishe drejtues të Partisë Demokratike të lavdishme në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot se do të shkojnë aty ku kanë vendin dhe e them prapë”, u shpreh Spiropali.
Duke iu rikthyer qëndrimeve të saj për Reformën Territoriale, Spiropali tha se qëndrimet e shprehura më herët në platformën e saj vijojnë të qëndrojnë. Ajo deklaroi se i ka paraqitur këto qëndrime edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Spiropali kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si “personalizim të pushtetit”, duke pretenduar se i ka kundërshtuar këto praktika si në pushtetin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
“Unë u qëndroj një më një gjërave që kam thënë në platformë dhe pa platformë. E kam prezantuar edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste”, deklaroi ajo.
Përplasja u mbyll me një tjetër akuzë të Spiropalit ndaj opozitës, e cila tha se PD-ja është e përqendruar te një person në krye të saj, ndërsa shtoi se çështjet që ajo i konsideron të ndara nga njëra-tjetra nuk duhet të ndërthuren në debatet parlamentare.