✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Shqipëria rikthehet në fushë/ Kuqezinjtë kërkojnë tri pikët ndaj San Marinos në Air Albania

Shqipëria rikthehet në fushë këtë të martë, ku do të përballet me San Marinon në stadiumin “Air Albania”, me objektivin për t’u rikthyer te fitorja pas humbjes 2-1 ndaj Finlandës.

Kuqezinjtë kanë regjistruar dy fitore dhe një humbje në tri ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, duke grumbulluar 6 pikë. Shqipëria mban vendin e dytë në grup, vetëm një pikë pas Finlandës kryesuese.

Objektivi mbetet vendi i parë dhe për këtë arsye skuadrës shqiptare i nevojitet fitorja ndaj San Marinos. Një rezultat me diferencë të konsiderueshme golash mund të ketë gjithashtu rëndësi në ecurinë e mëtejshme të grupit.

San Marino vjen në Tiranë pas tri humbjeve në po aq ndeshje, pa arritur të shënojë asnjë gol.

Kundërshtari i kuqezinjve ndodhet në fund të renditjes dhe nuk ka regjistruar fitore në 17 ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

Gjatë kësaj periudhe ka marrë vetëm një barazim dhe 16 humbje, duke shënuar 6 gola dhe pësuar 63.

Statistikat e përballjeve direkte favorizojnë Shqipërinë. Kuqezinjtë kanë fituar të pesë ndeshjet e luajtura ndaj San Marinos, pa pësuar asnjë gol. Në takimin e zhvilluar në shtator, Kombëtarja shqiptare triumfoi me rezultatin 3-0.

Sfida Shqipëri-San Marino do të luhet mbrëmjen e kësaj të marte në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45.

Advertisement