Politike
Bardhi godet foltoren me grusht: Kush ia jep Gardës të drejtën të më ndalojë të flas/ Peleshi e kritikon
Tensione dhe përplasje në Kuvend gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka tentuar të shkojë në foltore për të marrë fjalën, por është ndaluar nga një anëtar i Gardës.
Situata ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Bardhit, i cili ka kundërshtuar ndërhyrjen e Gardës dhe i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
“Me çfarë të drejtë anëtari i Gardës më ndalon të flas në foltore? Kush ia jep këtë të drejtë? Ju rrini aty dhe heshtni. Si mundet të më pengojë Garda mua të flas? Kush e futi Gardën brenda? Kush ia jep këtë të drejtë?”, është shprehur Bardhi.
Gjatë përplasjes, Bardhi ka goditur me grusht foltoren, ndërsa situata ka vijuar me replikën e kryetarit të Kuvendit.
Niko Peleshi i është përgjigjur duke iu referuar rregullave dhe rendit në sallën e Parlamentit.
“Ligji. Kuvendi nuk është arenë gladiatorësh”, tha Peleshi.
Përplasja mes Bardhit dhe drejtimit të Kuvendit vjen në një seancë të shoqëruar me tensione, ku opozita ka kundërshtuar zhvillimin e procedurave parlamentare dhe ka kërkuar të marrë fjalën për çështje procedurale.