✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Protesta e studentëve, zbardhen emrat e 16 të arrestuarve; 49 persona të tjerë nën hetim

Janë zbardhur emrat e 16 personave të arrestuar nga Policia e Tiranës, pas protestës së zhvilluar ditën e djeshme nga studentët dhe të rinjtë përpara Ministrisë së Arsimit, e cila u shoqërua me tensione, përplasje me forcat e rendit dhe dëmtime të shumta të pronës publike e private.

Sipas policisë, arrestimet janë kryer në kuadër të hetimeve për incidentet e regjistruara gjatë tubimit të 13 tetorit, ndërsa 49 persona të tjerë janë proceduar penalisht.

Personat e arrestuar janë Kastriot Vata, Florian Baba, Ali Bruçi, Genc Ibrahimi, Ernest Kapo, Iljaz Sulaj, Besnik Kala, Donik Vatgjoni, Erand Zenunllari, Hamza Bushi, Olsi Vokli, Xhesion Petoku, Klevi Metaj, Berim Gjoka, Kalosh Hysbarjami dhe Korado Aliaj.

Gjatë protestës disa pjesëmarrës të maskuar kanë hedhur gurë, pllaka trotuari, kapsolla dhe koktej molotovë në drejtim të efektivëve të policisë dhe institucioneve shtetërore.

Përplasjet nisën përpara Ministrisë së Arsimit, ku u dëmtuan muret, xhamat dhe kangjellat e godinës, si dhe rrethimet metalike përgjatë trotuarit. Më pas, tensionet u zhvendosën edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku u regjistruan dëmtime në subjekte private, institucione dhe infrastrukturën rrugore.

Policia bën të ditur se gjatë tubimit mbetën të lënduar gjashtë efektivë, ndërsa një pjesë e protestuesve dyshohet se janë përfshirë edhe në shkatërrimin e bankomateve, kamerave të sigurisë dhe në zjarrvënie.

Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në incidentet e dhunshme.

Procedohen penalisht 49 shtetas të tjerë.

Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.

Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:

U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Advertisement