Pinknews
Efektivi i thyu këmbën studentit/ Luiz Ejlli i ashpër: Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo…
Luiz Ejlli ka reaguar publikisht pas protestës së studentëve të zhvilluar mbrëmjen e 13 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtari ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si u trajtuan qytetarët gjatë protestës, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet shtetërore.
“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur”, shkruan Luizi.
Artisti është ndalur veçanërisht te studentët dhe të rinjtë që protestojnë për kushtet në universitete dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Nuk ka britmë më të dhimbshme se sa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë”, shprehet ai në një tjetër pjesë të reagimit.
Mesazhi i Luizit vjen pas raportimeve për incidentet e regjistruara gjatë protestës, ku pati përplasje me policinë, dëmtime dhe persona të lënduar.
Vëmendje të veçantë morën edhe pamjet e trajtimit të një 19-vjeçari të dëmtuar. Pas ngjarjes, sipas raportimeve, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e pesë zyrtarëve dhe nisjen e verifikimeve për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Në reagimin e tij, Luizi ka përmendur edhe dhimbjen e familjeve dhe shqetësimet e të rinjve që kërkojnë një jetë më të mirë, duke bërë thirrje që ngjarjet e mbrëmjes të mos harrohen.
“Lutem Zotit që t’i japë forcë atyre që sot po qajnë, t’u shërohen plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, ka përfunduar këngëtari.
Reagimi i tij i shtohet diskutimeve publike që kanë pasuar protestën, veçanërisht lidhur me përdorimin e forcës nga policia dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.