Aktualitet
Shtatë ditë revoltë, Tirana në flakë dhe policia nën sulm, protestuesit nuk tërhiqen
Protesta ka hyrë në ditën e shtatë, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit vijojnë të shoqërohen me episode dhune. Gjatë marshimit, protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të ndryshme në drejtim të policisë, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit janë drejtuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku situata është shoqëruar me tensione të përsëritura. Gazetarja Marinela Lina raportoi se, pas përdorimit të gazit lotsjellës nga policia, protestuesit janë kundërpërgjigjur me sende të ndryshme dhe bomba molotov.
Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha bëri me dije se përgjatë rrugës ka edhe qytetarë që ndjekin zhvillimet nga afër, fotografojnë dhe dokumentojnë situatën.
Përplasjet e ditës së shtatë rikthejnë në vëmendje tensionet mes protestuesve dhe policisë, ndërsa marshimi vijon në kryeqytet. Rrethanat dhe zhvillimet e mëtejshme në terren mbeten për t’u ndjekur.