Bota
BERLINI NË ALARM, 10 MIJË TË RINJ PRITEN NË PROTESTË, POLICIA NXJERR UJËHEDHËSET
Gjermania përgatitet për një ditë protestash masive, ndërsa autoritetet e Berlinit kanë mobilizuar rreth 1,500 efektivë policie për të përballuar tubimet e paralajmëruara më 31 tetor.
Mijëra të rinj pritet të zbresin në rrugët e kryeqytetit gjerman, në një lëvizje proteste kundër rritjes së kostos së jetesës, problemeve në arsim dhe diskutimeve për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Nën thirrjen e iniciativës “Gen Z regelt”, demonstrata kryesore do të nisë në orën 14:00 pranë Portës së Brandenburgut, ku organizatorët presin rreth 10 mijë pjesëmarrës. Protesta të ngjashme janë paralajmëruar edhe në afro 30 qytete të tjera gjermane.
Por ajo që ka shtuar shqetësimin e autoriteteve është përkimi i protestave me festimet e Halloween-it dhe mundësia e përfshirjes së grupeve që mund të shkaktojnë incidente.
Policia ka vendosur në gatishmëri edhe automjetet ujëhedhëse, ndërsa disa dyqane në zonat tregtare të Berlinit kanë nisur të mbrojnë vitrinat nga frika e dëmtimeve.
Një tjetër marshim është paralajmëruar në orën 17:30 në Rosenthaler Platz, ku priten fillimisht 400 deri në 500 pjesëmarrës. Ky tubim vlerësohet me rrezik më të lartë për incidente.
Megjithatë, organizatorët e protestës kryesore të “Gen Z regelt” janë distancuar nga marshimi i mbrëmjes, duke sqaruar se ai nuk është pjesë e aktivitetit të tyre zyrtar.
Ndërkohë, disa përfaqësi të nxënësve gjermanë kanë shprehur rezerva për transparencën e organizatorëve dhe rrezikun e instrumentalizimit politik të protestave.
Autoritetet gjermane kanë theksuar se deri tani nuk kanë informacione konkrete për plane të organizuara dhune apo grabitjesh. Policia e konsideron tubimin kryesor kryesisht paqësor, por do të mbajë masa të shtuara sigurie gjatë mbrëmjes.
Tensionet e regjistruara në protestat e të rinjve në Francë kanë shtuar vëmendjen ndaj zhvillimeve në Gjermani.
31 tetori pritet të jetë një provë e rëndësishme për autoritetet gjermane: a do të shndërrohet pakënaqësia e brezit të ri në një protestë paqësore kombëtare, apo Berlini do të përballet me incidente që mund ta zhvendosin vëmendjen nga kërkesat e të rinjve?