Bota
Gjashtë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit në Himalaje, mes viktimave edhe piloti
Gjashtë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në një luginë në Himalaje, në Indi. Mes viktimave janë pesë pasagjerë dhe piloti i mjetit fluturues.
Helikopteri ishte nisur nga Badrinath, në shtetin verior të Uttarakhand, dhe u rrëzua në luginën Hoshimath. Autoritetet konfirmuan se të gjashtë personat që ndodheshin në bord humbën jetën nga përplasja.
“Po bëhen përpjekje për të zhvendosur trupat nga vendi i paarritshëm i përplasjes në rrugën më të afërt”, njoftoi policia shtetërore në një deklaratë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, Departamenti Meteorologjik i Indisë kishte parashikuar reshje shiu në të gjithë shtetin, dy ditë pasi cikloni Arnab goditi bregun juglindor të vendit.
Shteti i Uttarakhand është një destinacion i rëndësishëm pelegrinazhi për hindutë. Aty ndodhet edhe Badrinath, ku tempulli i shenjtë kushtuar perëndisë Vishnu tërheq miliona pelegrinë çdo vit.
Për të lehtësuar udhëtimin drejt faltoreve malore, kompani të ndryshme ofrojnë shërbime transporti me helikopterë me qira, të cilat përdoren kryesisht nga pelegrinët që dëshirojnë të shmangin udhëtimet e vështira në terrenet malore.