Aktualitet
Ndryshon trajtimi i pacientëve me kancer nga 2027, çfarë premton ministrja e Shëndetësisë
Shërbimet onkologjike në spitalet rajonale do të lidhen me qendrat shëndetësore, me qëllim përmirësimin e ndjekjes së pacientëve me sëmundje tumorale dhe koordinimin mes mjekëve specialistë dhe atyre të familjes. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Sipas ministres, rrjetëzimi i pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore do të nisë më 1 janar 2027, me vënien në funksion të Institutit Kombëtar të Onkologjisë. Kjo skemë synon të garantojë ndjekje të vazhdueshme për pacientët dhe të lehtësojë marrjen e shërbimeve sipas nevojave të tyre.
Vëmendje e veçantë, sipas Spahiut, do t’u kushtohet pacientëve që jetojnë në zona të largëta, të moshuarve dhe personave me vështirësi në lëvizje, për të përmirësuar aksesin në kujdesin shëndetësor.
Gjatë vizitës në Vlorë, ministrja u ndal edhe te shërbimi i hemodializës, i cili prej 1 nëntorit ka kaluar në administrimin e strukturave shtetërore në pesë spitale rajonale, mes tyre edhe ai i Vlorës.
Ndërkohë, në repartin e mamografisë së këtij spitali janë kryer 342 ekzaminime gjatë muajit tetor. Spahiu theksoi se kontrollet parandaluese për kancerin e gjirit duhet të kryhen gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në muajin e ndërgjegjësimit.