Kronike
Biznesmeni shqiptar humb jetën tragjikisht në Itali (EMRI)
Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 61-vjeçari me origjinë shqiptare në Itali. Viktima është identifikuar si Bashkim Rushani, pronar i një kompanie ndërtimi, i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm në Casarano, në provincën e Leçes.
Ngjarja fatale ndodhi në zonën e njohur si Contrada Spagnolo, ku 61-vjeçari u zu poshtë një porte të rëndë metalike me sistem rrëshqitës, e cila u rrëzua papritur mbi të. Goditja rezultoi fatale, duke mos i lënë mundësi mbijetese shqiptarit.
Ekipet e emergjencës mbërritën me urgjencë në vendngjarje, por ndërhyrja e tyre ishte e pamundur. Mjekët konstatuan vdekjen e 61-vjeçarit në vend.
Pas tragjedisë, në zonë mbërritën edhe Karabinierët dhe inspektorët e SPESAL-it, struktura që merret me kontrollin dhe sigurinë në vendet e punës në Itali. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se çfarë shkaktoi rrëzimin e portës metalike.