Politike
30 miliardë lekë për drejtësinë/ Premtime për qytetarët, të dënuarit dhe pronat
Sistemi i drejtësisë do të ketë në dispozicion rreth 30 miliardë lekë gjatë vitit 2027, buxheti më i lartë i miratuar deri më tani për këtë sektor. Shifrat u prezantuan nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në Komisionin e Ligjeve, ku ai theksoi se fondet synojnë të përmirësojnë aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe funksionimin e institucioneve.
Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë dhe i organeve të sistemit arrin në 29.95 miliardë lekë. Sipas Gogut, fondet do të mbështesin rritjen e numrit të magjistratëve dhe stafit ndihmës, me synimin për të ulur çështjet e prapambetura në gjykata. Ministri deklaroi gjithashtu se do të garantohen paga më të larta për magjistratët, ndërsa vijon projektimi i Polit të Drejtësisë në Tiranë, ku parashikohet të përqendrohen prokuroritë, gjykatat dhe Avokatura e Shtetit.
Një nga masat e njoftuara është hapja e 10 zyrave të reja të Ndihmës Juridike Falas. Pesë prej tyre pritet të hapen që në dhjetor, në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen. Pesë të tjerat do të ngrihen gjatë vitit 2027 në Divjakë, Mallakastër, Gramsh, Devoll dhe Malësi të Madhe.
Sipas ministrit, mbështetja juridike për qytetarët në nevojë nuk do të kufizohet vetëm te avokati falas, por do të përfshijë edhe uljen e tarifave për analiza, ekspertiza topografike dhe shpenzime përmbarimore. Gogu bëri të ditur se qytetarëve nuk do t’u kërkohet më të paraqesin gjashtë dokumente, pasi ato do të sigurohen nga punonjësit përmes sistemit e-Albania.
Në fushën e trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin, ministri njoftoi se gjatë vitit 2027 do të vihet në funksion qendra e Mëzezit për edukimin dhe rehabilitimin e tyre. Në këtë strukturë parashikohet të trajnohen çdo vit rreth 500 profesionistë nga e gjithë Shqipëria. “Një dosje penale përshkruan një ngjarje. Nuk përshkruan gjithë të ardhmen e një fëmije”, u shpreh Gogu.
Ndërkohë, buxheti i Shërbimit të Provës rritet me 66%, nga 255 milionë në 424 milionë lekë. Sipas ministrit, synimi është që ky institucion të mos kufizohet vetëm në mbikëqyrjen e personave të dënuar, por të ofrojë edhe trajnime profesionale, mbështetje psikosociale dhe ndihmë për punësim e strehim. Nga kjo qasje pritet të përfitojnë mbi 1,000 persona. Sistemi i mbikëqyrjes elektronike, sipas njoftimit, do të nisë funksionimin në mars.
Një tjetër investim i parashikuar është ndërtimi i spitalit për mjekimin e detyruar në Shën Koll të Lezhës. Punimet pritet të nisin në janar, ndërsa për vitin 2027 janë parashikuar 250 milionë lekë. Gogu tha se ky projekt synon t’u japë përgjigje edhe shqetësimeve të ngritura ndër vite nga Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Europës.
Në fushën e pronave, Agjencia e Trajtimit të Pronave synon të kompensojë gjatë vitit të ardhshëm edhe 2,366 familjet që presin pagesën për pronat informale. Sipas ministrit, ky hap do të përmbyllë një proces të nisur në vitin 2008.
Sa i përket buxhetit të vetë Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të varësisë, fondi arrin në 15.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2% krahasuar me vitin 2026. Megjithatë, investimet e parashikuara për vitin 2027 janë 1.23 miliardë lekë, ose 517 milionë lekë më pak se një vit më parë. Ministri njoftoi gjithashtu se gjatë vitit do të punësohen mbi 160 punonjës të rinj.
Gogu i renditi prioritetet e buxhetit në pesë drejtime: përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, mbrojtjen e fëmijëve, riintegrimin e të dënuarve, përmbylljen e kompensimit të pronave dhe garantimin e dinjitetit në sistemin penitenciar.