Kronike
Plani i vrasjes së Ervis Martinaj del në dritë? SPAK KËRKON 16 VITE BURG, DY EMRA
SPAK ka dhënë pretencën për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin, të akuzuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për organizimin e atentateve ndaj Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite burg për Drianto Bardhin. Sipas akuzës, të dy, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për realizimin e vrasjeve gjatë periudhës qershor-shtator 2020, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohej nga Duka.
Kjo çështje është pjesë e dosjes së njohur si “Revanshi”, hetimet e së cilës u mbështetën në mijëra komunikime të zbardhura në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Përmes këtyre komunikimeve, hetuesit zbuluan plane dhe episode të ndryshme të përplasjes mes grupeve kriminale.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022, ndërsa Erigers Mihasi u vra në një atentat në Tiranë.
Ndërkohë, Leonard Duka është dënuar më herët me 30 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i konsideruar si një prej njerëzve të afërt me Martinajn. Duka u shpall fajtor si organizator i ekzekutimit të Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019.