Bota
Buxheti i BE-së kthehet në betejë për Ukrainën, kush po kundërshton Gjermaninë?
Një përplasje e re politike dhe financiare ka përfshirë Bashkimin Evropian, këtë herë për mënyrën se si do të financohet Ukraina dhe nëse ndihma për Kievin duhet të lidhet me miratimin e buxhetit të ardhshëm shumëvjeçar të unionit.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kërkon që miratimi i buxhetit të ri të BE-së të kushtëzohet me sigurimin e një pakete të re financiare për Ukrainën. Por kjo nismë ka hasur në kundërshtimin e Sllovakisë, Çekisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të cilat kanë shprehur rezerva ndaj detyrimeve të reja financiare.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, e cilësoi kërkesën e Merzit si një formë shantazhi dhe paralajmëroi se Bratislava mund të përdorë të drejtën e vetos.
“Ne kemi të drejtë të barabartë në këtë çështje. Ashtu siç zoti Merz flet për përdorimin e vetos, edhe unë mund të them të njëjtën gjë. Ne kemi të njëjtën të drejtë vetoje si kancelari federal gjerman”, deklaroi Fico gjatë takimit me kryeministrin çek, Andrej Babiš, në Bratislavë.
Nga ana tjetër, Babiš vuri në dukje se projektbuxheti i ardhshëm i BE-së parashikon tashmë 100 miliardë euro për Ukrainën, por këto fonde nuk do të jenë të disponueshme përpara vitit 2028. Ndërkohë, Kievi përballet me një mungesë financiare të përllogaritur në rreth 70 miliardë euro për vitin e ardhshëm.
Merz e ka bërë të qartë qëndrimin e tij edhe përmes një letre drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ku argumenton se mbështetja e re për Ukrainën duhet të jetë kusht për miratimin e buxhetit. Kjo e lidh drejtpërdrejt çështjen e financimit të Kievit me negociatat për buxhetin shumëvjeçar, i cili kërkon unanimitetin e vendeve anëtare.
Brukseli synon të mbulojë rreth 45 miliardë euro nga nevojat financiare prej 70 miliardësh të Ukrainës. Një prej alternativave që po shqyrtohet është krijimi i një skeme të re të borxhit të përbashkët evropian. Por mekanizmi konkret i financimit ende nuk është përcaktuar.
Kundërshtimet u konfirmuan edhe gjatë takimit mes Merzit dhe kryeministrit hungarez, Péter Magyar, në Berlin. Ky i fundit tha se nuk e mbështet lidhjen e buxhetit të BE-së me ndihmën për Ukrainën, pasi sipas tij bëhet fjalë për dy çështje që duhet të trajtohen veçmas.
Magyar shmangu termin “shantazh”, por paralajmëroi se kjo mënyrë veprimi mund të përcjellë një mesazh të gabuar. Ai gjithashtu kundërshtoi marrjen e borxhit të ri në nivel evropian, duke argumentuar se Hungaria po përpiqet të kontrollojë deficitin e saj publik.
Edhe presidenti bullgar, Rumen Radev, ka kërkuar që vendi i tij të mos përfshihet në linjat e reja të kreditimit për Ukrainën. Ai deklaroi se Bullgaria do të vijojë ta mbështesë Kievin përmes formave të tjera, përfshirë furnizimet me energji.
Në këtë përplasje, katër vendet janë pjesë e grupimit “Miqtë e Kohezionit”, ku bëjnë pjesë 17 shtete që kërkojnë ruajtjen e fondeve për kohezionin dhe bujqësinë në buxhetin e ardhshëm të BE-së. Qëndrimi i tyre përballet me atë të vendeve të njohura si “kursimtarët”, të cilat kërkojnë kontroll më të madh të shpenzimeve të unionit dhe kundërshtojnë përjashtimet nga detyrimet financiare për Ukrainën.
Duke reaguar ndaj këtyre kundërshtimeve, Merz përsëriti se barra e mbështetjes për Kievin duhet të ndahet në mënyrë më të drejtë mes vendeve anëtare. Ai pranoi se ekzistojnë dallime të thella mes qeverive, por theksoi se negociatat mbeten rruga për arritjen e një marrëveshjeje.