Aktualitet
Neda Balluku 1 vit pa takuar dy djemt e saj/ Reagon publikisht Ogren Balluku: Ke dështuar si nënë
Një vendim gjykate që pretendohet se nuk po zbatohet, gjoba ndaj një nëne dhe një proces përmbarimor mes kundërshtish e akuzash. Neda Balluku i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”, duke denoncuar Zyrën Përmbarimore Vendore të Tiranës. Ajo thotë se prej më shumë se një viti nuk arrin të takojë dy djemtë e saj të mitur, pavarësisht një vendimi gjykate që përcakton mënyrën e takimeve.
Sipas Nedës, ajo ka zbatuar vullnetarisht vendimin për takimet e babait me vajzën e vogël, por është gjobitur nga përmbarimi për mosekzekutim të vendimit. Dokumentet dhe pamjet filmike të siguruara nga “Fiks Fare”, sipas pretendimeve të saj, tregojnë se vajza është dorëzuar në banesën e të atit, në përputhje me vendimin e gjykatës.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me dy vlerësime psikologjike të fëmijëve. Psikologia e caktuar nga gjykata ka evidentuar elemente të mundshme të alienimit prindëror dhe ndikimin e babait në marrëdhënien e fëmijëve me nënën. Megjithatë, me kërkesë të babait, Ogren Balluku, përmbaruesja Anxhela Doleqi ka kërkuar një vlerësim të dytë, ku nuk evidentohen të njëjtat elemente.
Ky raport i është përcjellë gjykatës, e cila, sipas dokumentacionit të paraqitur nga emisioni, ka sqaruar se nuk kishte kërkuar një informacion të tillë dhe se masa e përkohshme për takimet e nënës me fëmijët duhej të zbatohej.
Përplasjet janë thelluar edhe brenda vetë procesit përmbarimor. Pas kërkesës së Nedës për transferimin e dosjes, drejtuesi i Zyrës Përmbarimore Vendore të Tiranës ka urdhëruar kalimin e saj nga përmbaruesja Anxhela Doleqi te Mikeda Cenaj. Por, sipas dokumenteve, Doleqi ka refuzuar dorëzimin e dosjes.
Ndërkohë, më 29 tetor 2026, përmbaruesja Suela Ndreca ka vendosur gjobë ndaj Nedës, pikërisht ditën kur kjo e fundit ishte paraqitur në zyrë për të deklaruar se kishte zbatuar vullnetarisht vendimin. “Fiks Fare” disponon pamje filmike të këtij momenti.
Më 12 nëntor, Neda është paraqitur sërish në zyrën përmbarimore për të deklaruar se kishte dorëzuar vajzën në banesën e babait. Gjatë këtij komunikimi, përmbaruesja Suela Ndreca i është drejtuar me fjalët: “Duhet ta sjellësh fëmijën ku të urdhëroj unë”.
Gazetarët e “Fiks Fare” kanë kërkuar shpjegime nga përmbaruesja për vendosjen e gjobës, por ajo ka refuzuar të japë përgjigje, duke u shprehur: “S’dua të flas”, dhe u ka kërkuar kolegëve të njoftojnë policinë.
Nga ana tjetër, babai Ogren Balluku kundërshton pretendimet për alienim prindëror dhe i referohet raportit të dytë psikologjik. Ai pretendon se nuk e ka takuar vajzën për një muaj dhe se publikimi i çështjes në media po ndikon negativisht te fëmijët. Në komunikimin me gazetarët, ai ka deklaruar gjithashtu se Neda ka dështuar si nënë.
Dokumentet, komunikimet dhe pamjet filmike të paraqitura nga “Fiks Fare” ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është administruar procesi përmbarimor dhe mbi pretendimet e palëve për zbatimin e vendimit. Përtej konfliktit mes dy prindërve, në qendër të kësaj çështjeje janë tre fëmijë të mitur, të cilët kanë nevojë për të dy prindërit.
Ndërsa Neda vijon të kërkojë të drejtën për të takuar djemtë e saj, mbeten pa përgjigje pyetjet se përse vendimi i gjykatës nuk po zbatohet dhe kush mban përgjegjësi për zvarritjen e procesit./ tch