✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Marta Kos jep sinjalin nga Athina: Shqipëria mes katër vendeve në krye të garës

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka renditur Shqipërinë mes katër vendeve që kryesojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke veçuar së bashku me Malin e Zi përparimin në negociata.

Deklarata u bë në Athinë, gjatë takimit të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku Kos shprehu pritshmërinë që presidenca e ardhshme greke e Këshillit të BE-së të kontribuojë në avancimin e procesit të zgjerimit.

Greqia do të marrë presidencën në korrik 2027 dhe do ta mbajë deri në fund të vitit, periudhë që përkon me objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit. Kjo e vendos Athinën në një pozicion të rëndësishëm për ecurinë e procesit shqiptar.

Por marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pasur edhe momente tensioni. Tre vite më parë, Greqia kushtëzoi mbështetjen për avancimin e Shqipërisë në negociata me çështjen e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës, i cili në atë kohë ndodhej në paraburgim dhe kërkonte të lejohej të bënte betimin.

Aktualisht, Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj. Për 31 të tjerët, vendi duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Europian, ndërsa institucionet e BE-së do të vlerësojnë rezultatet.

Nëse kalendari i parashikuar zbatohet, mbyllja e kapitujve të fundit mund të përkojë me presidencën greke të Këshillit të BE-së. Megjithatë, realizimi i këtij objektivi do të varet nga përmbushja e kritereve dhe vlerësimi i vendeve anëtare.

Advertisement