Kosova
Apeli konfirmon burgimin e përjetshëm për Murselin dhe Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt
Gjykata e Apelit në Kosovë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin me burgim të përjetshëm të Naim Murselit dhe Granit Plavës, të shpallur fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Me të njëjtin vendim është konfirmuar edhe dënimi me 30 vite burg për Kushtrim Kokallën. Kolegji i Apelit që shqyrtoi çështjen përbëhej nga Mentor Hajra, kryetar, Xhevdet Abazi, gjyqtar referues, dhe Arben Hoti, anëtar.
Sipas arsyetimit të Gjykatës Themelore, Naim Murseli kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes për shkak të konflikteve në marrëdhënien familjare dhe martesore, si dhe ndjenjave të mllefit dhe hakmarrjes. Gjykata kishte vlerësuar gjithashtu se ai synonte të përfitonte financiarisht nga sigurimi i jetës së Liridona Ademajt, për të cilin ishte paguar një policë në vlerën prej 3 milionë korona suedeze.
Gjatë procesit gjyqësor, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës kishte konstatuar se Murseli nuk vuante nga çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së krimit. Të njëjtin përfundim ekspertët e kishin dhënë edhe për Murselin dhe Granit Plavën gjatë seancës së 22 shtatorit 2025.
Në fillim të gjykimit, më 31 janar 2025, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa Plava nuk ishte deklaruar pjesërisht fajtor. Kushtrim Kokalla kishte kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen. Ndërkohë, Tom Dodaj kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës së përdorur në ngjarje.
Fillimisht, Dodaj ishte dënuar me pesë vite burg dhe 5 mijë euro gjobë, por Gjykata e Apelit, me vendim të 10 dhjetorit 2025, e kishte ndryshuar dënimin në tre vite burg dhe 3 mijë euro gjobë.
Me vendimin e fundit, Apeli ka konfirmuar dënimet më të rënda për tre të akuzuarit kryesorë në një prej çështjeve penale që tronditi opinionin publik në Kosovë.