Aktualitet
Nga bosët e drogës te mashtrimet…/ Dubai nuk është më strehë e sigurt, 16 shqiptarë ekstradohen
Emiratet e Bashkuara Arabe po ndryshojnë qasjen ndaj personave të kërkuar ndërkombëtarisht, duke shtuar arrestimet, ekstradimet dhe sekuestrimin e pasurive të lidhura me rrjetet kriminale. Sipas të dhënave të publikuara nga “The Wall Street Journal”, në kuadër të këtyre operacioneve janë ekstraduar edhe 16 shtetas shqiptarë, krahas dhjetëra personave nga vende të tjera evropiane.
Për vite me radhë, Dubai është konsideruar një strehë e sigurt për bosët e krimit të organizuar, të cilët investonin aty pasuritë e përfituara nga aktivitetet e paligjshme dhe shmangnin arrestimin. Por së fundmi, autoritetet në Emirate kanë intensifikuar bashkëpunimin me qeveritë e huaja, duke goditur figura të njohura të botës kriminale.
Një nga rastet më të bujshme ishte arrestimi dhe ekstradimi në gusht i Daniel Kinahan, drejtues i klanit kriminal irlandez me të njëjtin emër dhe i lidhur me të ashtuquajturin superkartel. Ai kërkohej nga autoritetet amerikane dhe konsiderohej një prej figurave kryesore të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Në pranga ka përfunduar edhe një person i njohur me nofkën “Endik”, i konsideruar nga autoritetet greke si figurë e rëndësishme e mafias greko-ruse. Ai dyshohet se kishte ngritur një rrjet kriminal të përfshirë në kontrabandën e cigareve dhe karburantit, si dhe kishte lidhje me industrinë e klubeve të natës në Athinë.
Sipas shifrave të publikuara nga gazeta amerikane, Emiratet kanë kthyer në vendet e tyre 28 shtetas francezë, 23 belgë dhe 16 shqiptarë, si dhe rreth një duzinë shtetasish danezë e holandezë. Në listë përfshihen edhe persona të dyshuar për mashtrime kibernetike dhe aktivitete të tjera kriminale.
Përveç arrestimeve, operacionet kanë çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë miliarda dollarë, të dyshuara se janë përfituar nga mashtrimet online dhe rrjetet e trafikut të drogës.
Në shënjestër edhe klanet e drogës në Marsejë
Mes rrjeteve të goditura është edhe Mafia DZ, e lidhur me trafikun e drogës në qytetin francez të Marsejës. Sipas raportimeve, pjesëtarë të këtij grupi kishin investuar në apartamente luksoze në rrokaqiejt e Dubait, prona të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.
Operacionet kanë prekur edhe rrjete të mashtrimeve online. Një shtetas nigerian, i dyshuar për drejtimin e një rrjeti të tillë, kishte ekspozuar në rrjetet sociale stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë makinat sportive dhe pasuritë, përpara se të arrestohej.
Pse po ndryshon qëndrimi i Emirateve?
Sipas analizës së “The Wall Street Journal”, intensifikimi i këtyre operacioneve lidhet edhe me interesat diplomatike të Emirateve, të cilat synojnë të forcojnë marrëdhëniet me vendet perëndimore dhe të largojnë imazhin e Dubait si strehë për kriminelët ndërkombëtarë.
Një prej rezultateve të kësaj qasjeje ishte edhe largimi i Emirateve nga lista gri e vendeve nën monitorim për pastrim parash. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se goditja e këtyre rrjeteve mund t’i shtyjë disa prej bosëve kriminalë të kërkojnë strehim në vende të tjera, ku bashkëpunimi ndërkombëtar është më i kufizuar.
Pavarësisht arrestimeve dhe sekuestrimeve, Dubai vijon të mbetet një qendër financiare ku operojnë individë të lidhur me aktivitete të dyshimta, përfshirë ndërmjetës të kapitalit të Gardës Revolucionare iraniane dhe oligarkë rusë të prekur nga sanksionet.