✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Katër plumba në trup, nipi i ‘Sel Çamit’ del nga operacioni dhe dërgohet në reanimacion

Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, i cili mbeti i plagosur në atentatin e regjistruar sot në Fier, ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale në Spitalin e Fierit. Ai ka marrë katër plumba në trup dhe pas operacionit është dërguar në repartin e reanimacionit, ku do të qëndrojë nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Ndaj tij janë marrë edhe masa të rrepta sigurie.

Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”, u ekzekutua me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, teksa po punonte pranë murit rrethues të shtëpisë. Nga sulmi mbeti i plagosur rëndë edhe nipi i tij, Jakup Hasani.

Ndërkohë, emri i Selami Hasanit rezulton i përfshirë në një dosje të rëndë kriminale që lidhet me një vrasje të dyfishtë të ndodhur më 25 mars 2002 në Fier, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës”. Sipas dosjes gjyqësore, një automjet fuoristradë Mercedes-Benz, ku ndodheshin Julian Isufi dhe Bledar Kastrati, u qëllua me armë zjarri. Si pasojë humbën jetën Julian Isufi dhe Esat Taze, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.

Sipas vendimeve gjyqësore, Selami Hasani dhe Pëllumb Yzeiraj kishin bashkëpunuar në organizimin dhe realizimin e atentatit. Ata kishin siguruar automjetin dhe armën automatike të përdorur në krim. Gjatë sulmit, Yzeiraj qëlloi në drejtim të fuoristradës, ndërsa Hasani zbriti nga automjeti dhe qëndroi pranë tij. Pas të shtënave, të dy u larguan me të njëjtën makinë.

Gjykatat e kishin cilësuar ngjarjen e vitit 2002 si vrasje të kryer për motive hasmërie. Megjithatë, mbrojtja e Hasanit e kishte kundërshtuar këtë përfundim, duke pretenduar se motivi i hakmarrjes nuk ishte provuar me prova konkrete.

Advertisement