Bota
Covid – Franca vendos orën policore duke nisur nga 15 dhjetori
Franca do të shtyjë rihapjen e lokacioneve kulturore dhe do të vendosë orë policore, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Kryeministri Jean Castex tha se normat e infektimit nuk janë duke rënë me ritmin që ka shpresuar qeveria, pas vendosjes së masave të izolimit në fund të tetorit.
Urdhri për qëndrim në shtëpi do të hiqet më 15 dhjetor, kur edhe do të nisë ora policore nga ora 20:00 deri në 06:00.
Masa nuk do të hiqet për Vitin e Ri, për të parandaluar tubimet e mëdha.
Qeveria e ka kushtëzuar lehtësimin e masave me rënien e numrit të të infektuarve në rreth 5,000 në ditë.
Por, ky numër ka qenë shumë më i lartë se 10,000 të enjten, përkatësisht 13,750.
“Nuk jemi ende në fund të kësaj vale të dytë dhe nuk do t’i arrijmë objektivat e vëna për 15 dhjetor”, tha kryeministri Castex në një konferencë për media.
“Duhet të mbetemi të përqendruar dhe ta gjejmë rrugën gjatë javëve të ardhshme”, tha ai.
Muzetë, kinematë, teatrot dhe vendet sportive, që pritej të rihapeshin të martën, do të qëndrojnë të mbyllura edhe për tri javë.