Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kurti takim të tensionuar me të dërguarën britanike, ngre zërin për dënimin e ish krerëve të UÇK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me dënimet e dhëna në shkallën e parë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjatë takimit me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, Kurti i cilësoi dënimet si të rënda dhe të padrejta, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.

“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, deklaroi Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kurti tha se kishte falënderuar përfaqësuesen britanike për qëndrimin e Londrës kundër glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte dhe për mbështetjen ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në takim u diskutua gjithashtu për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Takimi vjen pas vendimeve të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, ndaj të cilave palët kanë të drejtën e ankimit. Kurti ka bërë të ditur se pret që procesi i apelit të shqyrtojë pretendimet për mangësi dhe padrejtësi të ngritura nga pala kosovare.

Advertisement