Aktualitet
Ngatërrohet në maternitet me një femijë të bardhë, vajza rome rrëfen për emisionin “Historia ime”
Sot “Historia ime” do trajtojë një histori e cila në fakt mund të themi se hyn tek ato histori që kanë brenda jo vetëm dhimbje por edhe shumë dashuri.
Një fëmijë i komunitetit rom 44 vjet më parë ,u ngatërrua në maternitet me një të bardhë. Fëmija rom u birësua nga një familje e bardhë, ngjarja kjo e cila ka ndodhur në Peqin.
Vajza u rrit nga kjo familje dhe sot ajo është 46 vjeç. Hamide Aliu në studio ka rrëfyer historinë e saj prekëse dhe përjetimet e saj si një fëmijë i birësuar në një familje të bardhë.
Hamide Aliu: Ne kemi lindur në Peqin, jemi ndërruar dy vajza në maternitet, unë kam shkuar tek dora e bardhë, ajo tek dora jonë.
Mirela Milori: Nuk u kuptua ky gabim? Si e shpjegojnë këtë ngatërrim?
Hamide Aliu: Siç më kanë thënë, kur isha në çerdhe unë po nxihesha edhe thoshin që nuk është vajza jote, por prindërit thoshin hë se i ngjan gjyshes. Unë po i ngjisja gjakut tim. Kur u bënë analizat nuk isha gjaku i tyre, kanë kërkuar për familjen tjetër që të bëhej ndërrimi i fëmijëve, por nuk u bë asgjë, unë kam ndejtur tek ata. Burri i familjes quhet Gani Lleshi dhe ka 8 fëmijë, unë jam e madhja. Kam 2 motra dhe 6 vëllezër.
Mirela Milori: Kur e kuptove që nuk ishe fëmija e tyre?
Hamide Aliu: Në klasën e parë, filluan të më quanin o jevge dhe unë fillova të qaja, nuk më pranonin në shkollë, më rrihnin. Unë shkoja në shtëpi dhe thoja o mami pse më thonë kështu? Ajo më thoshte mos u mërzit, prap mua zemra ma ndjente që nuk ishte nëna ime. Edhe në klasën e dytë më shanin dhe unë ndihesha shumë e vetmuar, asnjë njeri nuk më jepte një fjalë të mirë. Familja ku u rrita ishin shumë të varfër më përpara. Nuk kishin kushte që të më vishnin, më shumë ecja zbathur, por ja di për faleminderit që më rritën.