Connect with us

Kronike

Aksidenti tragjik dje në Durrës, shoferit, Nikoll Radaçit më herët i është pezulluar 2 herë patenta

Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim më të zgjeruar lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshme në lagjen 15, ku një automjet me drejtues Nikoll Radaçi përplasi për vdekje 2 fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër të mitur.

Blutë konfirmojnë zyrtarisht se shoferi 57-vjeçar ka qenë në gjendje të dehur teksa ngiste makinën dhe për pasojë ka humbur kontrollin, duke marrë përpara të miturit, 2 prej të cilëve humbën jetën në vend.

Policia sqaron edhe se Nikolla Radaçi rezulton të ketë qenë një shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit që i mori jetën 2 fëmijëve, i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksonuar edhe më parë për për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË: 

Durrës/Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Advertisement