Shkrime
‘Asnjë nga këta’, është fituesi i zgjedhjeve
Nga Astrit Patozi
Për të kuptuar depresionin e Shqipërisë së sotme, mjafton të shohësh sondazhin e fundit të Zaloshnjes. Është kjo arsyeja pse shumica e udhëheqësve dhe e filozofëve tanë bënë sikur nuk e panë, ndërsa ata të zakonshmit, që përkthejnë më shumë nga shqipja në shqip, se sa nga gjuhët e tjera, e lexuan si gjithmonë me syzet e tyre.
Duket qartë se ka shkuar në zgrip mbështetja për trekëndëshin e dinosaurëve, që alternojnë prej dekadash pushtetin në Shqipëri, ndërkohë që është rritur frikshëm masa e atyre që nuk besojnë tek asnjëra prej partive kryesore.
Shqiptarët, që kanë votuar asnjërin prej tyre, janë praktikisht sot fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri, por ky nuk është domosdoshmëriaht një lajm i mirë.
Vetëm mospranimi i së keqes si formë reagimi shoqëror ëahtë i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshimin. Sepse kjo është një shumicë e papërfaqësuar dhe nuk ka asnjë vlerë rritja e vëllimit të saj, nëse ajo do të vijojë të mbetet e pagojë dhe në kufinjtë e vetëm refuzimit.
Por ky është një sinjal për gjithëkënd, që ka diçka për të thënë e për të bërë politikisht në këtë vend në funksion të një vizioni të ri, që nuk ka lidhje me kënetën, ku gjendemi sot. Që do të thotë se njerëzit, të cilët po presin një projekt të ri politik janë sot më shumë se asnjëherë tjetër, ndaj nuk ka asgjë që e justifikon hezitimin.
Ndonëse politika nuk është sport kaq i lehtë për t’u ushtruar, kjo është koha ideale për t’i zgjuar dhe për t’i bërë bashkë ata që duan realisht të përfaqësojnë një Shqipëri të ndryshme nga ajo e atyre të treve, që ua kanë vështirosur njerëzve atdheun e tyre.
Ndryshe, u bie më mirë që të shohin hallet veta dhe nëse e kanë pasion, të shohin filma me luftë false çdo të enjte nga parlamenti i statuskuosë së kryetarokracisë.
Në mos kanë edhe një mundësi tjetër, të mbyllin gojën, të ulin kokën dhe të rreshtohen në një prej 3 garnizoneve të vjetra politike, me shpresën se një ditë udhëheqësi i pagabueshëm do të kujtohet për t’i gostitur me ndonjë kockë, si gjithë të tjerët.
Sepse “asnjë nga këta” është mesazh për ata që kuptojnë dhe guxojnë politikisht, por nuk është opsion në fletën e votimit, që mund ta rrëzojë sistemin tonë të kalbur nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
Shkrime
Beogradi dhe Prishtina mirëpresin zbutje në kufi
Profesori amerikan Daniel Serwer, i cili njeh mjaftë mirë zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka shkruar rreth takimit të lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.
Serwer ka thënë se të dy janë diplomatë me përvojë që e njohin mirë rajonin dhe që kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Ai kujtoi se një prej çështjeve ku ka pasur mospajtim ka qenë Ballkani i Hapur, me SHBA-në që ka pasur qëndrim përkrahës ndërkohë që BE-ja e ka konsideruar si të panevojshëm dhe dyfishim i Procesit të Berlinit.
Serwer shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.
Profesori amerikan u shpreh se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq.
“Ata i premtuan Beogradit se do kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar” – ka theksuar Serwer.
Profesori amerikan duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencoi se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje. Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë mirë në Kosovë.
“Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë. Vuçiç nuk është në gjendje ta bëjë këtë” – ka shkruar profesori amerikan.
Sipas tij, suksesi në negociata kërkon ndryshim të politikës. Serwer tha se dialogu për çështje teknike në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shtete…………………………….
“Pavarësisht zbatimit të ndotur, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit, sesa me normalizimin politik”, potencoi profesori amerikan duke theksuar se kjo është rruga e duhur për të ardhmen, duke qenë se normalizimi politik duket shumë larg.
“Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutje përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti të ligjshme”- ka deklaruar Daniel Serwer.
Shkrime
Sebastian Zonja: Llafet e Ramës dhe projektet e Vuçiçit
Një shpjegim i shkurtër për vizitën e liderit kinez Shi Xhinping në Hungari dhe Serbi:
Një ndër projektet e mëdha që po financon Kina është Rruga e Mëndafshit. Duke ndërtuar hekurudha, porte dhe autostrada, gjiganti aziatik synon të vijë në zemër të tregut të madh evropian, Berlinit. Një nga rrugët në këtë pjesën tonë të Evropës është me anë të Danubit. Rruga ujore Danub -Moravë – Vardar – Deti Egje faktorizon Serbinë dhe Hungarinë, sepse të dy nuk kanë dalje në det.
Serbët e kanë si projekt gati. Ndërtimi i rrugës ujore të lundrueshme nga Danubi në Selanik konkuron me itinerarin Danub, Deti i Zi deri në detin Egje, teksa transporti lumor ka më shumë përparësi ndaj atij hekurudhor dhe rrugor, sepse ul kostot dhe ka avantazhe të mëdha në ngarkim dhe shkarkim, magazinim dhe mirëmbajtje të llojeve të ndryshme të mallrave si dhe sigurinë e tyre në tranzit. Po të lidhet me rrjetin evropian të kanaleve ujore dhe arterien Rin – Main – Danub, kanali Moravë – Vardar do të sjellë faktorizim të Serbisë dhe Hungarisë si dhe rritje të madhe të përfitimit ekonomik të Evropës Lindore dhe Perëndimore me fokus Greqinë, Serbinë dhe Hungarinë.
Nëse do të kishte sadopak strategji, qeveria shqiptare do të kishte përfunduar ndërtimin e Korridorit 8, autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe portin e madh të Durrësit. Të gjitha këto janë konform strategjisë evropiane dhe amerikane që e cilësojnë Kinën kundërshtar tregtar. Faktorizimi i portit të Durrësit vjen si konkurencë me portin e Pireut në Greqi që kanë blerë kinezët. Me anë të autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe më tej, çelësin në dorë për tregtinë ballkanike do të kishte Tirana, ndaj Serbia dhe Hungaria do detyroheshin të dilnin nga Durrësi, jo nga Greqia. Vendi ynë do të fitonte peshë të re gjeostrategjike në rajon. Kroacia, strategjikisht është pro një projekti të këtillë. BE-ja po ashtu. Amerikanët kanë dhënë sinjale pozitive. Ndërkohë, të gjitha këto mbeten në letër sepse kemi pasur kryeministër Sali Berishën dhe sot kemi Edi Ramën.
Shkrime
Valvula e sigurisë për Kosovën, nga Shqiprim Pula
Shkrime
Analizë: A po e humb Perëndimi betejën me Kinën për zemrën e Serbisë?
Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi këtë javë nxorri në rrugë një numër të madh njerëzish që mbanin flamujt serbë dhe kinezë dhe thekson miqësinë e “çeliktë” të të dy vendeve. Në Perëndim, kjo ngriti shumë pikëpyetje për rolin e ardhshëm të Serbisë në Evropë.
Analistët thonë se ky ishte pikërisht qëllimi. Në një kohë rivaliteti global midis Pekinit dhe Uashingtonit, mesazhet që Presidenti Xi dha në Beograd dukeshin se synonin një audiencë shumë më të gjerë.
Presidenti Xi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe të mërkurën. Ato u nënshkruan në 25 vjetorin e bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës Kineze në Beograd në vitin 1999 për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për këtë veprim, duke e quajtur atë “një gabim”.
David Shullman, ekspert mbi Kinën në Këshillin Atlantik me bazë në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se mbërritja e Presidentit Xi në Beograd në këtë përvjetor kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi më të gjerë në kontekstin e luftës në Ukrainë: se Kina nuk është një “nxitëse e luftës” si Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
“Ekziston një bindje në sistemin kinez se kjo është një pikë me rëndësi që lidh Kinën dhe Serbinë. Kjo përshtatet edhe me mesazhin që Kina ka dhënë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”.
Paul McCarthy, drejtor për Evropën në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, bie dakord se koha e vizitës së Presidentit Xi nuk ishte një rastësi.
“Unë mendoj se e gjithë vizita e Presidentit Xi në Evropë u organizua rreth 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s”, thotë ai. “Kjo ishte një mundësi e rëndësishme që kinezët të mos e humbisnin dhe që thekson pozicionin e Serbisë dhe mosmarrëveshjen strategjike me Perëndimin prej 25 vjetësh.
Presidentët Xi dhe Vuçiç nënshkruan një deklaratë për “të ardhmen e përbashkët” të të dy vendeve, të cilën presidenti serb e përshkroi si një nivel mbi Partneritetin Strategjik Gjithëpërfshirës për të cilën të dy vendet ranë dakord në vitin 2016.
Sipas analistit të Këshillit Atlantik, Shullman – Presidenti Xi ka përdorur shpesh fjalinë “e ardhmja e përbashkët” për të treguar se ai dëshiron një ekuilibër të ri të fuqisë në botë.
“Historia e kësaj të ardhmeje të përbashkët është se Kina dëshiron të krijojë një rend global që është më pak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që është shumëpolar, një rend ndërkombëtar më ‘demokratik’ – siç shprehen kinezët”, tha ai.
“Në thelb, është një rend botëror që nuk udhëhiqet më nga Shtetet e Bashkuara dhe në të cilin Kina luan një rol më domethënës”, thotë zoti Shullman.
Ai shton: “Fakti që flitet për Serbinë si vendi i parë evropian që do të jetë pjesë e këtij komuniteti dhe ‘të ardhmen e përbashkët’, kjo tregon se për udhëheqësit kinezë, veçanërisht Presidentin Xi, Serbia ka një rëndësi të madhe … si partner ekonomik dhe si një vend kandidat për në BE”.
Për më tepër, vizita e Presidentit Xi në Serbi i tregoi Uashingtonit se Kina ka partnerë të besueshëm në Evropë dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë Evropën në tërësi në anën e saj”.
Kina zotëron miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë dhe ka ofruar financime me vlerë prej miliarda dollarësh për rrugë, ura dhe objekte të ndryshme, duke u bërë partneri kryesor i Serbisë në zhvillimin e infrastrukturës shumë të nevojshme.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se e ardhmja e bashkëpunimit midis Beogradit dhe Pekinit është e pasigurt, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ndërlikuara midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se zgjerimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Kinës nga një partneritet strategjik në nivelin e “ndërtimit të një komuniteti të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët” është pak më shumë se një lojë diplomatike që i përshtatet të dyja qeverive momentalisht.
Ai shtoi se marrëdhënia e ardhshme varet shumë më tepër nga Pekini sesa nga Beogradi.
“Marrëveshja e mëparshme e partneritetit strategjik ishte një deklaratë e përbashkët e vitit 2009 që kishte retorikë të ngrohtë, por në fakt nuk solli ndonjë transformim monumental të marrëdhënieve”, tha ai.
“Kështu ishte deri në kohën kur Kina tregoi interes më të madh për Ballkanin për shkak të Iniciativës “Një brez, një rrugë”, një strategji masive e zhvillimit të infrastrukturës globale e udhëhequr nga Kina. Unë mendoj se pyetja kryesore për Shtetet e Bashkuara do të jetë nëse ky bashkëpunim do të përfshijë ndonjë projekt madhor në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë së lartë”.
Zoti McCarthy nga Instituti Republikan Ndërkombëtar thotë se është e paqartë se si marrëveshjet midis Serbisë dhe Kinës dhe planet për një “të ardhme të përbashkët” do të ndikojnë në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin.
Megjithatë, vë në dukje ai, një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Kinës dhe Serbisë që hyn në fuqi në korrik “e kthen Serbinë më shumë drejt Lindjes”, duke ngritur pyetjen se “sa serioze është Serbia në rrugën e saj evropiane”.
Ai shton se “nga këndvështrimi i Uashingtonit, ata mund të ndihen sikur po humbasin betejën për zemrën e Serbisë”.
Shkrime
Inceneratori i Gent Sejkos në Bankën e Shqipërisë dhe opozita që si rruhet fare
Nga Klodian Tomorri
Shikoni ca vendi eshte ky.
Cohen dy mashtrues, me historik problematik te faktuar dhe marrin nje licence ne Banken e Shqiperise. Me kete licencen ngrene nje skeme kombetare mashtrimi.
Skema eshte njesoj si inceneratori, identik. Beri qeveria, incenerator? Beri dhe Banka e Shqiperise inceneratorin e vet. Por me nje ndryshim. Ai i qeverise vidhte leket e buxhetit. Ky inceneratori i Bankes se Shqiperise, vjedh direkt leket dhe pronat e qytetareve.
Publikohen raste me kartela te tjetersuara pronesie. Opozita prape hic.
Ngaqe ujrat e zeza jane bere kavalete, institucionet fillojne ping pongun per t’i ngecur fajin njera tjetres. Ministria e Drejtesise i thote Bankes se Shqiperise nderhyr ti se po behet masaker. Banka e Shqiperise thote, une vetem licencoj, bej rregulla dhe mbikqyr, por nuk kam pergjegjesi kur ata qe licencoj une vjedhin.
Zakonisht keta, keto lloj prapesirash i fshehin. Fakti qe po mundohen ti ngecin fajin njeri tjetrit tani do te thote se zarari i bere eshte shume i madh. Por opozita prape nuk do t’ia dije hic.
Tani, shkon ministri i drejtesise ne Parlament. E dini kush e ngre problemin e skemes se mashtrimit? Damian Gjiknuri.
Nje deputet i maxhorances, i cili e di qe skema ka prekur dhe qytetaret e zones se vete elektorale. Ndersa opozites nuk i rruhet fare. Po fare.
Hajde shpjegoje ti tani ca lloj vendi eshte ketu.
Ne 100 mije veta te prekur, mos te tentosh te marresh asnje vote!!!! Varja qe te mbrosh miletin se kjo eshte bere luks. Por bej lufte te marresh dy vota te pakten.
-
Bota18 hours ago
E rëndë, aksidentohet autobusi me nxënës, 11 persona humbin jetën
-
Kronike12 hours ago
FOTO/ Makina e shkatërruar në anët e rrugës, si ndodhi aksidenti që i mori jetën të 20-vjeçarit
-
Politike11 hours ago
Analiza për vizitën e Ramës në Athinë/ Monika Stafa: Kthehuni në Itakë
-
Pinknews16 hours ago
Ups! Olta Gixhari “bën bashkë” Bora Zemanin dhe Beatrix Ramosajn
-
Aktualitet17 hours ago
VIDEO/ Qentë e rrugës në Vlorë kafshojnë turisten buzë lungomares
-
Rajon12 hours ago
Silianovska e quajti vendin e saj “Maqedoni”, ambasadorja e Greqisë braktis ceremoninë e betimit të Presidentes
-
Aktualitet11 hours ago
Konfindustria kërkon ndërhyrje urgjente për Durrës-Tiranë, të hetohet korrupsioni te rrugët
-
Politike11 hours ago
“Laskarina Boubulina, shqiptare”/ Mediat greke: Rama falsifikues i historisë