Connect with us

Bota

Trump sulmon Iranin: Dyfytyrësh, nuk do të lejojmë kurrë armë bërthamore

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke akuzuar udhëheqjen e Teheranit për mesazhe kontradiktore lidhur me mundësinë e një dialogu me Shtetet e Bashkuara.

Në një reagim në rrjetet sociale, Trump pretendoi se autoritetet iraniane kërkojnë një takim me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa në publik mohojnë se po zhvillojnë negociata direkte me Uashingtonin dhe deklarojnë se komunikimi bëhet vetëm përmes ndërmjetësimit të Omanit.

“Disa do të thoshin se po luten për një takim”, u shpreh Trump, duke e cilësuar qëndrimin e Teheranit si një sjellje kontradiktore.

Presidenti amerikan foli edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të energjisë në botë, duke kundërshtuar pretendimet e Iranit mbi kontrollin e kësaj zone strategjike. Sipas tij, siguria e lundrimit garantohet nga Marina amerikane dhe asnjë veprim nuk mund të kryhet pa miratimin e Uashingtonit.

Trump deklaroi se SHBA do të vazhdojë presionin ndaj Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje, duke theksuar se synimi i tij është një zgjidhje që i jep fund përplasjeve të vazhdueshme mes dy vendeve.

Në fund të deklaratës së tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti qëndrimin amerikan se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe për administratën e tij.

Advertisement