Connect with us

Aktualitet

“Shtëpi të blera me paratë e drogës”/ Si ka nisur përplasja mes Altin Dumanit dhe familjes Çela

Përplasja ligjore mes familjes Çela dhe ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, ka kaluar në Itali, ku kompania “Meral SRL” ka depozituar një kallëzim për shpifje ndaj ish-prokurorit të posaçëm, pas një hetimi që çoi në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 4 milionë euro.

Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar vitin e kaluar nga autoritetet shqiptare dhe italiane, ku në kuadër të një hetimi të përbashkët u vendosën masa sigurie ndaj pasurive të kompanisë në Itali. Sipas hetimeve të SPAK, disa prona të zotëruara nga “Meral SRL”, kompani në pronësi të familjes Çela, dyshohej se ishin blerë me të ardhura që mund të kishin burim aktivitete kriminale.

Mes pasurive të sekuestruara ishin një kompleks me dhjetëra njësi tregtare dhe zyra në Verona, si dhe një tjetër objekt në zonën e Nogarole Rocca. Prokuroria shqiptare dyshonte se investimet mund të lidheshin me pastrim parash që buronin nga aktivitete të paligjshme.

Megjithatë, më pas autoritetet italiane vendosën heqjen e masës së sekuestros, duke kthyer pasuritë tek pronarët. Sipas dokumenteve të paraqitura nga mbrojtja e familjes Çela, pasuria ishte krijuar përmes aktiviteteve të ligjshme tregtare dhe investimeve të mëparshme në Shqipëri.

Pas këtij zhvillimi, kompania “Meral SRL” ngriti një padi për shpifje ndaj Altin Dumanit, duke pretenduar se veprimet dhe deklarimet e lidhura me hetimin kishin dëmtuar reputacionin dhe aktivitetin ekonomik të biznesit.

Prokuroria e Veronës kishte kërkuar pushimin e çështjes, por gjyqtari i hetimeve paraprake, Enrico Zuccon, vendosi të kërkojë verifikime të mëtejshme para një vendimi përfundimtar. Autoriteteve italiane u është lënë një afat dy muaj për të shqyrtuar dokumentacionin dhe për të sqaruar nëse vendimet e mëparshme në Shqipëri për çështjen e familjes Çela u ishin komunikuar institucioneve italiane.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Altin Dumanit ka kërkuar mbylljen e procedimit, duke argumentuar se kallëzimi është një përpjekje për të goditur një prokuror që ka drejtuar hetime ndaj krimit të organizuar.

SPAK ndërkohë ka reaguar edhe më herët për këtë çështje, duke sqaruar se Dumani nuk ka qenë pjesë e drejtpërdrejtë e grupit hetimor që ka kryer veprimet operative, por vetëm ka firmosur dokumente institucionale në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Çështja tashmë mbetet në pritje të verifikimeve të reja nga autoritetet italiane, ndërsa përplasja mes palëve vijon në dy fronte: atë gjyqësor dhe atë publik.

Advertisement