Connect with us

Politike

Ekstradimi i Ermal Beqirit/ Shqipëria i dërgon Francës kërkesën zyrtare, SPAK kërkon kthimin e biznesmenit

Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin zyrtar për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar pak ditë më parë në Francë.

Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK i ka kërkuar ministrisë dërgimin e kërkesës për ekstradim, së bashku me vendimin e Gjykatës së Posaçme që ka caktuar ndaj Beqirit masën e sigurisë “arrest në burg”.

Biznesmeni shqiptar dyshohet për 7 vepra penale, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet për disa çështje, përfshirë aktivitetin e kompanisë “Soft & Solution” dhe hetimet për aferat e lidhura me AKSHI-n.

Beqiri u arrestua në Francë pasi u ndalua teksa udhëtonte me avion privat mbi një central bërthamor në Normandi, duke fluturuar në një lartësi nën kufirin e lejuar. Pas ndalimit të tij, SPAK bëri të ditur se arrestimi u realizua në bashkëpunim me autoritetet franceze pas lokalizimit të tij jashtë Shqipërisë.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar një seri pasurish me vlerë miliona euro, për të cilat është kërkuar edhe bashkëpunimi i autoriteteve franceze për sekuestrimin e tyre. Mes pasurive të evidentuara janë llogari bankare me mbi 2 milionë euro, apartamente dhe një kështjellë në departamentin Oise të Francës, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.

SPAK po heton gjithashtu aktivitetin e kompanisë “Soft & Solution”, një institucion financiar i parasë elektronike, të cilit Banka e Shqipërisë i shfuqizoi licencën në prill të këtij viti. Vendimi erdhi pasi ndaj aksionarit të shoqërisë ishte lëshuar urdhër arresti, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kriminale të organizuar.

Në dosjen hetimore përmendet edhe një tender me vlerë mbi 1.1 milionë euro, ku SPAK dyshon se krahu i djathtë i Beqirit, Ergys Agasi, ka ushtruar presion ndaj një kompanie pjesëmarrëse në garë.

Ndërkohë, hetimet për AKSHI-n kanë nxjerrë në pah edhe një jaht luksoz të tipit “Predator 50 Skyfall”, me vlerë rreth 1 milion euro. Mjeti rezultonte i regjistruar në emër të një punonjëseje të kompanisë “Soft & Solution”, por prokurorët dyshojnë se financimi i tij lidhet me vetë Ermal Beqirin.

Advertisement